Zbardhen pamjet e megaoperacionit “Tempulli”! 216 masa sigurie të ekzekutuara, sekuestrohen armë zjarri kanabis e kokainë

14/09/2023 16:59

Ashpërsimi i masave për shpërndarësit e drogërave në afërsi të shkollave ishte paralajmëruar me paketën e sigurisë që para nisjes së vitit shkollor, por rezultatet e aksionit të 3000 uniformave blu të angazhuara u zbuluan këtë të enjte.

23 grupe kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike u shkatërruan në Tiranë, Durrës, Korçë, Elbasan dhe Vlorë. Operacioni antidrogë vuri në pranga 30 shpërndarës të substancave narkotike, nga 216 masa sigurie të ekzekutuara në të gjithë vendin ndaj ushtruesve të kësaj veprimtarie kriminale.

Policia e Shtetit zbardhi më herët pamjet e megaoperacionit policor “Tempulli”, si rezultat i të cilit u sekuestruan:

-13 armë zjarri (2 kallashnikovë, 10 pistoleta dhe 1 pushkë), 5 armë gjahu/sportive, 1 elektroshok, 8 armë të ftohta (thika, doreza metalike);

-134.5 kg kanabis, 364 fara kanabisi, 1.2 kg kokainë, mijëra doza kanabisi, kokaine dhe heroine, qindra doza MDMA, tableta ekstazi, sasi të drogave sintetike GAB dhe Poppers, 23 peshore elektronike, 3 mjete për përpunimin dhe ndarjen e lëndëve narkotike në doza;

-225 celularë, 35 automjete, 1 801 000 lekë të rinj, 38 845 euro, 6100 paund, 1100 dollarë;

Po ashtu, janë sekuestruar 4 motomjete, 12 targa, pajisje si të Policisë dhe dokumente false. Përmes një deklarate për mediat, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku tha se operacioni vijon ende në të gjithë vendin.

Janë sekuestruar kanabis, kokainë, heroinë, ekstazi, armë zjarri dhe armë të ftohta, vlera monetare e aksesorë që shërbejnë për paketimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike”- tha Rrumbullaku, duke shtuar se për garantimin e sigurisë në shkolla janë marrë masa me qëllim këputjen e fijeve të shpërndarësve të lëndëve narkotike.

“Prej disa ditësh janë impementuar një sërë masha të reja, për sigurinë në shkollë. Një nga masat është parandalimi i shitjes së narkotikëve pranë shkollave. ‘Tempulli’ për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave, bareve, lokaleve, restoranteve”, u shpreh Rrumbullaku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA