Tirana mirëpret sot Ministerialin e Ministrave të Punëve të Brendshme të vendeve pjesëmarrëse në Procesin e Berlinit.
Krerët e delegacioneve nga 26 vende të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor do të mblidhen në Pallatin të Kongreseve për të diskutuar për rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe atij kibernetik.
I pari që mbërriti në vendin tonë ishte ministri anglez i emigracionit, Robert Jenrick. Ai zhvilloi dhe një takim në Ministrinë e Brendshme ku diskutoi për çështjen e emigrantëve shqiptar të paligjshëm në Britani.
Samitit do t’i bashkohet edhe ministri grek i mbrojtjes së qytetarit, Ioanis Ikonomu. Burime për Top Channel nga ministria greke thanë se veç takimeve në kuadër të këtij samiti, Ikonomu do të ketë takim kokë më kokë me eksponentë të politikës shqiptare. Nismat e partneritetit rajonal, por edhe çështje të bashkëpunimit dypalësh do të jenë në vëmendje të bisedimeve, ku lufta kundër narkotikëve dhe lufta kundër krimit ndërkufitar do të jenë kryefjala e bisedimeve.
Punimet e Ministerialit të Ministrave të rendit do të nisin në orën 14:00 dhe do të zgjasin rreth 3 orë. Në fund do të ketë dhe një konferencë për mediat ku do të bëhen të ditura rezultatet e arritura.
Top Channel