Senatori republikan nga Jutah, Mitt Romney, njoftoi të mërkurën se nuk do të kandidojë për t’u rizgjedhur, duke shënuar kështu fundin e një karriere intensive politike prej dy dekadash, përfshirë emërimin si kandidat për president i Partisë Republikane në vitin 2012, si dhe një mandat si guvernator i shtetit Masaçusets.
Zoti Romney, tashmë në moshën 76 vjeçare, tha se sfidat e shumta të vendit kërkojnë një brez të ri udhëheqësish. Ai tha se Shteteve të Bashkuara do t’i shërbehej më mirë nëse do të tërhiqeshin dy kandidatët kryesues për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 – Presidenti demokrat Joe Biden dhe ish-Presidenti republikan Donald Trump. Zoti Biden është 80 vjeç dhe zoti Trump është 77 vjeç.
“Kohërat në të cilat po jetojmë kërkojnë sërish që brezi i ardhshëm të ngrejë zërin dhe të shprehë pikëpamjen e tij, dhe të marrë vendimet që do t’i japin formë politikës amerikane në shekullin e ardhshëm”, tha zoti Romney gjatë konferencës për shtyp në Kapitol. Ai tha se personat e brezit të tij “nuk janë të duhurit për të marrë vendimet për të nesërmen”.
Ai tha se pasi të largohet nga Senati do të përqendrohet tek mobilizimi i më shumë të rinjve për të votuar dhe për t’u përfshirë në procesin politik.
Si kandidati i Partisë Republikane për president në vitin 2012, zoti Romney bëri fushatë në të gjithë Amerikën bazuar tek eksperienca e tij si guvernator i Masaçusetsit dhe si drejtues i kompanive të investimeve. Por me rritjen populiste të rolit dominues të zotit Trump në këtë parti, lloji i republikanizmit që përfaqëson zoti Romney nuk ishte më në epiqendër. Ai ishte i vetmi anëtar republikan i Kongresit që votoi në favor të akuzave ndaj Presidentit Trump në të dyja proceset hetimore që synonin shkarkimin e tij.
Zoti Romney tha gjatë konferencës për shtyp se i përket “krahut të mençur të Partisë Republikane” dhe se nuk mendon se ai do të zbehet.
“Krahu im i partisë flet për politika dhe për çështje që do të bëjnë ndryshimin në jetën e popullit amerikan. Krahu Trump i partisë flet për pakënaqësira të llojeve të ndryshme dhe për shpagim dhe rishikim të rezultateve të zgjedhjeve të 2020-ës”.
Zoti Romney tha se bisedoi të mërkurën me Presidentin Biden, i cili i uroi mbarësi. Ai bëhet kështu senatori i gjashtë që njofton planet për të dalë në pension në përfundim të mandatit në vitin 2025. /VOA
Top Channel