Ndryshimet në Qeveri! Ervin Mete emërohet ministër i Financave, Delina Ibrahimaj ministre e Sipërmarrjes

14/09/2023 10:37

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot në seancën plenare për emërimin e dy ministrave të rinj, Ervin Mete dhe Delina Ibrahimaj.

Delina Ibrahimaj është shkarkuar me 105 vota pro dhe asnjë kundër si ministre e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa vendin e saj e ka zënë me 74 vota pro dhe dhe 30 vota kundër Ervin Mete, duke u emëruar ministër i Financave.

Ibrahimaj është emëruar si ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit me 73 vota pro.

Ndryshimet në qeveri u propozuan nga kryeministri Edi Rama në Asamblenë e Partisë Socialiste ndërsa pas miratimit në Kuvend, ministrat e rinj do të betohen tek Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

Deputeti Gazment Bardhi pas votimit të ministrave në seancën plenare e kundërshtoi vendimin, dhe tha se votimi i zotit Mete është i kundërligjshëm.

Sipas tij presidenti Bajram Begaj dekretoi ministër një zyrtar publik që nuk mund të emërohej sepse ushtronte një funksion tjetër publik. Bardhi tha se kemi të bëjmë me shkelje të Kushtetutës.

Ndërkohë dy ditë më parë u miratuan në Kuvend edhe disa ndryshime të tjera.

Arbjan Mazniku i propozuar si Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor mori 73 vota pro, 35 kundër dhe asnjë abstenim.

Albana Koçiu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Shëndetit dhe Mirëqenies Sociale mori 73 vota pro, 1 abstenim dhe 32 kundër.

Igli Hasani, i propozuar nga Rama për pozicionin e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme siguroi në Kuvend 74 vota pro, 33 kundër dhe asnjë abstenim.

Ogerta Manastirliu, e propozuar në pozicionin e Ministres së Arsimit dhe Sportit mori 72 vota pro, 35 kundër dhe një abstenim.

Nga ana tjetër, Anila Denaj, e propozuar në pozicionin e Ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit siguroi 73 vota pro, 27 kundër dhe asnjë abstenim.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u shkarkua me 95 vota pro dhe 1 kundër, ku deputeti Erion Braçe kundërshtoi shkarkimin. Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit, Evis Kushi u shkarkua me 99 vota pro, 1 abstenim dhe 3 kundër.

Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca u shkarkua me 107 vota pro dhe asnjë kundër. Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen, Edona Bilali u shkarkua me 102 vota pro dhe 4 kundër.

Ministrja e Shtetit, Milva Ikonomi u shkarkua me 98 vota pro, 2 abstenim dhe 2 kundër. Ervin Mete shkarkohet si anëtar dhe drejtor i AMF-së me 95 vota pro, 1 abstenim dhe 5 kundër.

Ndër emrat e propozuar nga Rama, të cilët nuk u votuan sot në seancën e posaçme, janë Ervin Mete, i cili pritet të drejtojë Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Delina Ibrahimaj, e cila pritet të marrë pozicionin e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA