Gati 7 mijë emigrantë mbërritën brenda 24 orësh në ishullin Italian të Lampeduzës, pika e parë e hyrjes për azilkërkuesit që synojnë të lëvizin më pas drejt veriut dhe vendeve të tjera të BE-së.
Një flotilje e vërtetë varkash të mbushura me klandestinë u nis nga Tunizia, duke i zënë frymën ishullit të vogël italian, e kjo pikërisht kur Roma po e trumpeton me të madhe, faktin që kufijtë e saj janë duke u testuar nga vërshimet masive të emigrantëve.
Çështja e tyre u përmend më herët nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni , gjatë një interviste në radion dhe televizionin publik Rai.
“Zhvendosja është e një rëndësie dytësore, muajt e fundit ato kanë qenë minimale. Problemi është ndalimi i ardhjes së emigrantëve në Itali, por ende nuk kam parë ndonjë përgjigje konkrete”, u shpreh ajo duke shtuar se “përpara pak kohësh, Italia informoi partnerët e saj se nuk mund të marrë automatikisht ata që kërkojnë azil në vende të tjera, por shkelin më së pari në tokën e saj”.
“Pikat tona të nxehta janë plot dhe Europa duhet të na ndihmojë të mbrojmë kufijtë tanë”, u shpreh shefja e ekzekutivit Italian. Rezidenca e vetme e emigrantëve në Lampeduza ka një kapacitet prej rreth 450 shtretërish, e në këto kushte, autoritetet janë përpjekur t’i transferonin të mbërriturit në Siçili, ose në Kalabri. Sipas Ministrisë së Brendshme të Italisë, mbi 120,000 emigrantë kanë mbërritur në Itali këtë vit nga deti, mes tyre ishin mbi 11,000 të mitur të pashoqëruar.
Top Channel