Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e pranoi propozimin e BE-së për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por kërkoi që të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Borrell priti të enjten në një rund të ri bisedimesh Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Sot, me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, kam tentuar që të gjejmë zgjidhje për një rrugë përpara, bazuar në propozimin tonë. Fatkeqësisht, pas një takimi të gjatë, kryeministri Kurti nuk ka qenë i gatshëm që të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe në Kosovë]. Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto si hap i parë“, tha Borrell.

“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të thyhen dallimet“, tha ai duke shtuar se Vuçiç e pranoi propozimin e BE-së.

Borrell sqaroi se propozim i bllokut evropian është që Marrëveshja për normalizim marrëdhëniesh të zbatohet nga të dyja palët paralelisht.

“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë“, tha Borrell, duke shtuar se ai mbështetet edhe nga partnerët amerikanë.

Kryediplomati evropian tha po ashtu, se nuk ka përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por ajo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë“, tha Borrell.

Vuçiç tha se bisedimet me Kurtin përfunduan pa sukses, pasi Kurti, sipas tij, “e refuzoi propozimin evropian”.

Dy udhëheqësit u takuan të enjten në Bruksel për herë të parë pas më shumë se katër muajsh në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

“Ne të gjithë i kemi propozimet tona, shqiptarët i kanë të tyret, ne i kemi tonat. Në fund, ne si Serbi e kemi pranuar propozimin e kompromisit të BE-së. Kurti nuk ka dashur ta pranojë. Takimi ka përfunduar”, u tha Vuçiç gazetarëve.

I pyetur nga ta se cili ishte propozimi i BE-së, ai tha se, para së gjithash, flitet përAsociacionin e komunave me shumicë serbe,  “të shohim nëse kemi proces të besueshëm ose jo”.

“Nëse do të konstatonim se procesi është i besueshëm dhe se po shkojmë drejt formimit të Asociacionit të komunave [me shumicë] serbe, ne paralelisht do të nisnim me obligimet tona. Por, pala tjetër nuk ka pranuar”, tha Vuçiç.

“Është e qartë se Kurti, thjesht, i shmanget formimit të Asociacionit… Ky është thelbi i gjithçkaje”, tha ai.

Për formimin e këtij asociacioni, Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje qysh në vitin 2013, por ajo nuk është zbatuar kurrë, për shkak të shqetësimeve të shprehura në Prishtinë, në lidhje me ndikimin që do të kishte ky asociacion në funksionalitetin e shtetit.

Marrë parasysh se nuk ka marrëveshje, një gjë e tillë “çon vetëm në probleme më të mëdha”, tha Vuçiç, por shtoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Presidenti serb tha se në takim u diskutua edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe.

Tha se nëse kryetarët shqiptarë të komunave atje japin dorëheqje, ai “do të japë gjithçka nga vetja” që komuniteti serb të marrë pjesë në procesin e ri zgjedhor, por vuri në dukje se nuk mund të premtojë në emër të tij.

“Para së gjithash, jam i shqetësuar. Nën dy, nuk jam i pakënaqur – së paku, jam i kënaqur që Serbia ka treguar konstruktivitetin e saj, përgjegjësinë dhe vullnetin për t’iu qasur zgjidhjeve të kompromisit… Dhe, nën tre, jam edhe më i shqetësuar për pozitën e popullit serb në Kosovë, pas gjithçkaje që pashë dhe dëgjova sot”, tha Vuçiç, duke shtuar se, në dy muajt e fundit, në Kosovë është rritur numri i incidenteve.

Ai nuk specifikoi më shumë, por tha se, sigurisht, pret reagimin e BE-së.

Kurti dhe Vuçiç zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e dialogut, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi u zhvillua në kohën e tensioneve në veri të Kosovës, ku jetojnë rreth 50.000 serbë dhe përbëjnë shumicën lokale.

Situata atje është acaruar që prej fundit të majit, kur grupe serbësh nisën protestat për të kundërshtuar vendosjen e kryetarëve shqiptarë në zyrat e komunave në veri.

Qeveria e Kosovës ka përgjysmuar praninë e njësive policore në ndërtesat komunale në veri dhe ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA