Katër vjet pas tërmetit të vitit 2019, një pjesë e pallateve të dëmtuara prej tij nuk janë riparuar ende.
Banorët nuk po gëzojnë pronën e tyre, ndërsa kanë vështirësi në pagimin e qirasë në shtëpitë ku qëndrojnë. Përfaqësues të 65 familjeve të një pallati në lagjen 12 të qytetit kanë protestuar sërish para bashkisë së Durrësit duke kërkuar riparimin e objektit që gjatë këtyre viteve është dëmtuar dhe më shumë duke rënë pre e hajdutëve që kanë marrë çdo gjë prej tij.
Për të disatën herë ata kanë kërkuar informacion dhe protestuar para bashkisë, ndërsa shprehen se do t’i drejtohen SPAK-ut për të marrë zgjidhje për situatën që po rëndon më tej gjendjen e tyre ekonomiko-financiare dhe atë psikologjike.
Pas protestës, Bashkia e Durrësit bëri me dije se i është drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe pret lëvrimin e fondit për riparimin e këtij pallati 11-katësh, si dhe shumë pallateve të tjera të dëmtuara nga tërmeti që presin të riparohen.
Top Channel