Kryetarja e GJKKO për DW: Nga inceneratorët tek Gërdeci, Gjykata e Posaçme garante për drejtësinë!

13/09/2023 10:58

Kryetarja e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, (GJKKO) Irena Gjoka dha në një intervistë ekskluzive për DW një afat për vendimin mbi dosjen e inceneratorëve.

Janë dy dosje me interes të lartë publik, politik dhe mediatik, theksoi ajo.

“Në këtë kontekst për dosjen e inceneratorëve janë hetuar dhe gjykuar me masën e sigurimit, arrest me burg, funksionarë publikë të nivelit të lartë: ish-zëvendës kryeministri  Arben Ahmetaj, (në mungesë), ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-deputeti socialist Alqi Bllako, ish-kryebashkiakë socialistë, ish-prokurorë dhe gjyqtarë. Për dosjen në fjalë kanë përfunduar hetimi dhe shqyrtimi gjyqësor dhe më 25 shtator, trupi gjykues i GJKKO pritet të japë vendimin. Ndërsa për dosjen e sterilizimit të instrumenteve kirurgjike hetimet po vazhdojnë”, u shpreh Irena Gjoka.

E pyetur mbi faktin që publiku ka pritshmëri për dënimin e korrupsionit të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të lartë publikë në nivele të larta, dhe peshën e madhe që kjo gjë vendos mbi shpatullat e GJKKO-së, Gjoka theksoi se hetimet e kryera nga prokuroria, nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) dhe në vijim gjykimi i çështjeve nga organizmi i drejtuar prej saj kërkojnë kohën e tyre, mesatarisht deri në 3 vjet.

Sa për mundësinë e rihapjes së çështjeve të pushuara, ajo kujtoi se ligji parashikon  rastet e revokimit/ndryshimit të vendimit për pushimin e një çështjeje, kur dalin prova apo rrethana të reja.

Sa për procesin gjyqësor ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, lidhur me përgjegjësitë e tij në ngjarjen e  Gërdecit, dosja e të cilës shkoi për gjykim në GJKKO pasi SPAK rihapi hetimet, Gjoka tha se çështja po gjykohet me procedurë të zakonshme, jo të shkurtuar, dhe nënvizoi se GJKKO është garant për një proces të rregullt ligjor dhe dhënë drejtësi për të gjitha palët e përfshira në episodin tragjik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA