Franca ka urdhëruar Apple të ndalojë shitjen e iPhone 12 për emetimin e tepërt të rrezatimit elektromagnetik.
Të martën, mbikëqyrësi francez që drejton frekuencat e radios, i kërkoi gjithashtu gjigantit të teknologjisë që të rregullonte telefonat ekzistues. ANFR e ka këshilluar Apple që nëse nuk mund ta zgjidhë problemin nëpërmjet një përditësimi të softuerit, duhet të tërheqë çdo iPhone 12 të shitur në vend.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka tentuar më parë të zbusë frikën rreth rrezatimit të emetuar nga telefonat celularë. OKB në faqen e internetit shprehet se nuk ka asnjë provë për të arritur në përfundimin se ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike të nivelit të ulët, është i dëmshëm për njerëzit. iPhone 12 u lëshua për herë të parë në shtator 2020 dhe ende shitet në mbarë botën.
Apple tha për BBC-së se kundërshton rishikimin e ANFR-së dhe se rezultatet laboratorike tregojnë se pajisja është në përputhje me të gjitha rregullat përkatëse. Ai tha se iPhone 12 është në përputhje me rregulloret për nivelet e rrezatimit në mbarë botën. Ministri i Transmetimit Dixhital dhe i Telekomunikacionit në Francë, Jean-Noel Barrot i tha gazetës franceze ‘Le Parisien’ se vendimi ishte për shkak të niveleve të rrezatimit mbi pragun e pranueshëm.
Ai tha se ANFR zbuloi se shkalla e përthithjes specifike nga iPhone 12 (SAR) ishte mbi atë që lejohet ligjërisht.
“Apple pritet të përgjigjet brenda dy javësh. Nëse ata nuk dëshirojnë ta bëjnë këtë, unë jam i përgatitur të urdhëroj një tërheqje të të gjithë iPhone 12 në qarkullim. Rregulli është i njëjtë për të gjithë, përfshirë gjigantët dixhitalë”, tha ai.
Lajmi u publikua të martën në Francë, në të njëjtën ditë kur Apple zbuloi modelin e ri iPhone 15. Telefoni i ri është i pari që nga viti 2012 që ka një port alternativ karikimi dhe Apple thotë se do të shesë një përshtatës në mënyrë që njerëzit të mund të përdorin kabllot e tyre ekzistuese.
Top Channel