Kush viziton Venecian, do paguajë taksë: Vuajmë turizmin e tepërt!

12/09/2023 08:25

Qyteti lagunë i Venecias nuk do të jetë më i lirë për të gjithë!

Autoritetet atje po përgatiten të vendosin një taksë prej 5 eurosh për vizitorët, me qëllimin siç thonë, të vënë nën kontroll turizmin e shfrenuar. Të gjithë Të gjithë vizitorët mbi moshën 14-vjeçare do të duhen të paguajnë këtë shumë dhe ta rezervojnë paraprakisht hyrjen në qytet.

Anëtari i Këshillit bashkiak Simone Venturini, shpjegoi se pagesa do të hyjë në fuqi gjatë pikut të sezonit turistik, vitin e ardhshëm. “Venecia është një ndër qytetet më të vizituara europiane, dhe vuan më së shumti nga turizmi i tepërt”, u shpreh ai. Dyndjet e turistëve konsiderohen një çështje urgjente për qytetin. Venecia shtrihet vetëm në 7.6 kilometra katrorë, por atë e kanë vizituar gati 13 milionë turistë më 2019, sipas Institutit Kombëtar italian për Statistika.

Në vitet në vijim, parashikohet që numri i vizitorëve t`i kapërcejë ndjeshëm shifrat e para-pandemisë së koronavirusit. “Synimi ynë është që të kemi turistë të cilët zgjedhin ditët për vizitë jashtë pikut të sezonit”, tha Venturini.

Ai shtoi se si fillim do ta testojnë taksën, dhe nëse do të jetë e nevojshme, do ta përmirësojnë. Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNESCO) deklaroi më herët se qyteti duhet të shtohet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në rrezik, pasi ndryshimet klimatike dhe turizmi masiv rrezikojnë t`i sjellin tij një dëmtim të pariparueshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA