Moska dhe Pheniani konfirmojnë se Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë për t’u takuar me Vladimir Putinin

11/09/2023 19:37

Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un do të vizitojë Rusinë, njoftuan dy vendet të hënën, dhe do të ketë një takim me Presidentin rus Vladimir Putin.

Takimi i pritshëm ka shkaktuar shqetësim në Perëndim për shkak të një marrëveshjeje të mundshme për furnizimin me armë për Moskën, duke e ndihmuar kështu në luftën që po bën në Ukrainë.

Një deklaratë e shkurtër në faqen në internet të Kremlinit thotë se vizita po bëhet me ftesën e Presidentit Putin dhe do të ndodhë “në ditët në vazhdim”. Kjo u njoftua edhe nga organi zyrtar koreanoverior, Agjencia e Lajmeve Qendrore Koreane (KCNA), e cila konfirmoi se dy udhëheqësit do të takoheshin, por pa dhënë detaje për vendin dhe kohën e takimit.

“I respektuari Shoku Kim Jong Un do të takohet dhe do të bisedojë me Shokun Putin gjatë vizitës”, thuhet në njoftimin e KCNA-së.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se do të takoheshin delegacionet nga të dyja vendet, por nuk konfirmoi planet për një sesion dypalësh mes zotit Putin dhe zotit Kim, duke thënë se udhëheqësit do të takohen më vete “nëse do të jetë e nevojshme”. Vizita do të jetë edhe udhëtimi i parë jashtë vendit i zotit Kim që nga periudha e pandemisë Covid 19, që e pati detyruar Korenë e Veriut të vendoste masa të rrepta në kufi për mbi tre vite, për të mbrojtur sistemin e saj të dobët të kujdesit shëndetësor. Megjithëse zoti Kim ka përdorur avionët për të udhëtuar, në dallim nga babai i tij që shmangte udhëtimin ajror, ai gjithashtu ka përdorur trenin e tij personal për takime në të kaluarën me zotin Putin, me Presidentin kinez Xi Jinping dhe ish-Presidentin amerikan Donald Trump, duke rikthyer kështu edhe një simbol të regjimit të dinastisë së familjes së tij.

Gazetarët e agjencisë së lajmeve Associated Press të vendosur pranë kufirit Kore e Veriut – Rusi, pikasën në një stacion koreanoverior një tren jeshil me vija të verdha, i ngjashëm me trenin e përdorur nga zoti Kim gjatë udhëtimeve të mëparshme jashtë vendit.

Nuk ishte e qartë nëse zoti Kim gjendej në këtë tren, që u pa të lëvizë ndërmjet stacionit dhe urës që lidh dy vendet.

Gazeta koreanojugore “Chosun Ilbo”, citoi zyrtarë të Koresë së Jugut të kenë thënë se treni ishte nisur nga kryeqyteti i Koresë së Veriut, Phenian, mbrëmjen e së dielës, dhe se një takim Kim-Putin mund të bëhej që ditën e martë. Zyra e presidentit të Koresë së Jugut, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Kombëtar i Zbulimit nuk i konfirmuan këto detaje.

Zyrtarët amerikanë bënë publike javën e kaluar të dhëna zbulimi për faktin që Koreja e Veriut dhe Rusia po përgatisnin një takim mes udhëheqësve, që do të ndodhte brenda këtij muaji, ndërsa po zgjerojnë bashkëpunimin mes tyre dhe thellojnë mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara.

Sipas zyrtarëve amerikanë, zoti Putin mund të përqëndrohej në takim tek sigurimi i furnizimeve të mëtejshme nga Koreja e Veriut me predha artilerie dhe municione të tjera, për të plotësuar rezervat që po përdoren me shpejtësi për të zmbrapsur kundërofensivën e Ukrainës, duke demonstruar kështu edhe se është në gjendje të përballojë një luftë të zgjatur me synim degradimin e kapaciteteve të kundërshtarit. Kjo do të shtonte trysninë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve që të orientohen drejt negociatave, ndërkohë që po shtohen shqetësimet për një konflikt të zgjatur, megjithëse kanë bërë tashmë dërgesa të shumta armatimesh moderne për Ukrainën gjatë 17 muajve të fundit.

Ka gjasa që Koreja e Veriut të ketë dhjetëra miliona predha artilerie dhe raketa të llojit sovjetik, të cilat mund t’i jepnin një ndihmë të madhe ushtrisë ruse, thonë analistët.

Në këmbim, zoti Kim mund të kërkojë furnizim me energji dhe ndihma ushqimore, si dhe armatime me teknologji të avancuar, si p.sh. në lidhje me raketat balistike ndërkontinentale, nëndetëset me raketa dhe satelitët e zbulimit ushtarak, thonë analistët.

Ekzistojnë shqetësime se një transferim i mundshëm i teknologjisë ruse mund të shtojë rrezikun që paraqet arsenali në rritje i armëve bërthamore koreanoveriore dhe raketave të projektuara për të goditur Shtetet e Bashkuara, Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Pas një marrëdhënieje të komplikuar prej dekadash, Rusia dhe Koreja e Veriut janë afruar që kur Moska filloi sulmin ushtarak ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Ndërsa ka shfrytëzuar shpërqëndrimin e krijuar nga konflikti në Ukrainë për të përshpejtuar prodhimin e armëve, Koreja e Veriut ka fajësuar vazhdimisht Uashingtonin për krizën në Ukrainë, duke pretenduar se “politikat hegjemoniste” të Perëndimit justifikuan sulmin e Rusisë në Ukrainë, si një mënyrë vetëmbrojtjeje.

Koreja e Veriut është i vetmi vend, krahas Rusisë dhe Sirisë, që njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, dhe ka sinjalizuar se mund të dërgojë punëtorë ndërtimi për të ndihmuar në rindërtimin e tyre.

Jon Finer, zëvendës këshilltar i Presidentit Biden për sigurinë kombëtare, u tha gazetarëve të dielën se blerja e armëve nga Koreja e Veriut “mund të jetë opsioni më i mirë, dhe i vetmi” për Moskën, ndërsa ajo përpiqet të vazhdojë luftën./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA