22 vite pas mëngjesit të ditës që ndryshoi një herë e përgjithmonë Shtetet e Bashkuara, amerikanët hedhin vështrimin pas për të mos e harruar sulmin më të rëndë terrorist në tokën e tyre, dhe trashëgimin të tmerrshme të tij.
Ceremonitë përkujtimore shtrihen nga vendet e sulmeve- Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork, Pentagoni dhe Shanksville i Pensilvanisë, e deri në Alaska. Rrugëtimi i presidentit Joe Biden për ceremoninë e organizuar në bazën ushtarake të Anchorage, është kujtesa se pasojat e 11 shtatorit u ndjenë në çdo cep të kombit, sado i largët. Sulmet e avionëve të rrëmbyer që morën afro 3000 jetë, riformësuan politikën e jashtme amerikane, por edhe frikërat e brendshme.
Mëngjesin e 11 shtatorit, 2001, banorët e Nju Jorkut po bëheshin gati të nisnin ditën, kur një avion i rrëmbyer goditi qëllimisht njërën kullë të Qendrës Botërore të Tregtisë. Ishte ora 08:46. Vetëm 17 minuta më vonë, një avion tjetër, po ashtu i rrëmbyer, u përplas për kullën e dytë. Dy ndërtesat 110-katëshe – rrokaqiejt më të lartë në Nju Jork – u përfshinë flakët. Pas kaosit të momenteve të para, kur pakkush kuptoi c`po ndodhte, qindra punonjës të shërbimit të urgjencës nxituan drejt kullave për t’i ndihmuar të ngujuarit brenda.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara më 2001, George W. Bush, ishte duke vizituar një shkollë në Florida kur ndodhën sulmet. Duke folur prej atje, ai tha se ngjarja në Nju Jork duket se është “një sulm terrorist kundër vendit tonë”. Vetëm pak minuta pas deklaratës së tij, në orën 09:37, avioni i tretë i rrëmbyer u përplas qëllimisht për njërën anë të ndërtesës së Pentagonit – selisë së mbrojtjes amerikane – pranë Uashingtonit.
Avioni i katërt, që besohet se kishte në shënjestër ndërtesën e Kongresit, gjithashtu në Uashington, u rrëzua në një fushë në Pensilvani, pasi vetë pasagjerët e tij u përleshën me rrëmbyes, duke u kthyer dashur pa dashur në heronj. Grupi përgjegjës për sulmet e 11 shtatori, Al Kaeda e udhëhequr nga Osama Bin Laden, goditjen e kishte planifikuar nga Afganistani. Ato sulme shkaktuan tronditje e zemërim ndërkombëtar, e nxitën shpalljen nga ana e Xhorxh Bushit të luftës së madhe kundër terrorizmit. Sot, 22 vjet më vonë, në vendin e Qendrës Botërore të Tregtisë – apo siç njihej ndryshe Kullat Binjake – qëndron vetëm një ndërtesë, e njohur si Kulla e Lirisë.
Top Channel