532 nxënës me pak se sa vitin e kaluar, do të kenë shkollat në bashkinë e Shkodrës, në vitin e ri arsimor që nis të hënën e 11 Shtatorit.
Më të prekura, janë institucionet arsimore në fshatra, ku për shkak të emigracionit, në banka do të ketë me pak nxënës.
Të regjistruar në klasën e parë, sivjet janë 7 fëmijë më shumë se sa vitin e kaluar ndërsa në klasën e 10-të, ka 44 nxënës me pak.
Nëse problem për qytetin e Shkodrës, janë orët e mësimit ku shumë mësues nuk arrijnë ti plotësojnë, në Theth, zyra e arsimit kërkon mësues por atje nuk shkon askush.
Por nxënës më pak sivjet ka edhe Malësinë e Madhe. Top Channel ka mësuar se në shkollat në Velan dhe në Kalce të njësisë administrative Kelmend, abetaren nuk do ta mësojë askush sepse nuk ka fëmijë të regjistruar në klasat e para.
Ndërsa në Vau Dejes, Pukë e Fushë Arrëz, në zonat e thella malore, ka institucione të arsimit bazë që rrezikojnë të mbyllen për shkak të mungesës së fëmijëve. Pasojat e largimeve po reflektohen edhe në universitetin e Shkodrës ku regjistrimet deri më tani nuk janë më shumë se 35% e kuotave.
Në krahasim me 10 vite më parë, universiteti i Shkodrës, ka me mijëra nxënës më pak dhe vit pas viti ka dege që rrezikojnë mbylljen.
Top Channel