Nga sofra në kalldrëm/ Kuzhina e shtëpisë si pjesë e eksperiencës turistike në pazarin e Gjirokastrës

03/09/2023 15:14

Në pazarin e Gjirokastrës mbrëmjet e fund gushtit po sjellin eksperienca të reja për tu shijuar nga vizitorët.

Në mbrëmje mund të shijohet darka me muzikë apo polifoni mbi kalldrëm mund të piqet një kafe guri ose mund të shijohen rrëfime mbi kulinarinë dhe traditën e gatimit të ngadaltë.

Lubjana Baoja që drejton një qendër artizanazi për gratë tregon sesi ushqimi i mbrëmjes për një grup vizitorësh italianë u përgatit nga 8 zonja të ndryshme në shtëpitë e tyre jo vetëm në qytet. Petullat e mbushura këtë darkë mbërritën nga Lazarati për tu shijuar në Gjirokastër.

Përgjatë verës pazari ishte zemra e eksperiencave. Gjirokastra e mbrojtur nga UNESCO vizitohet nga turistë me interesa në kulturë dhe trashëgimi. Ky profil i ka dhënë nxitje eksperiencave të tilla si veshja me kostume tradicionale, gdhendja e drurit apo gurit, shijimi i kafes së gurit dhe së fundi edhe eksperienca e ndarjes së darkës familjare me miqtë.

Suela Xhyheri që drejton grupin e vizitorëve italianë shpjegon se gjithnjë e më shumë ata që udhëtojnë janë të ndjeshëm ndaj asaj që është tërësisht lokale, si gatimi në shtëpi, përbërësit e thjeshtë dhe mënyra e gatimit të ngadaltë.

Eksperienca  që synon të çojë të ardhura tek familjet lokale si një mënyrë që turizmi të sjellë përfitime në komunitet është në hapat e para të testimit. Gratë që e njohin njëra tjetrën prej kohësh po risjellin për këtë eksperiencë shijet e thjeshta të gatimeve tipike që nga bamjet, produktet e brumit, gatimin e ngadaltë të tavave në furra druri dhe traditën e glikove të të gjithë zonës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA