Maturantët janë çdo vit edhe më të qartë mbi zgjedhjet që bëjnë për regjistrimin në universitet, duke vendosur në peshore pasionin dhe punësimin e sigurt, duket se po fiton ky i fundit.
Këshilluesit e karrierës tregojnë se edhe këtë vit interesi është në rritje për programet e teknologjisë dhe ndërtimit.
“Ka shumë faktorë që ndikojnë sepse menjëherë pas studimeve madje edhe gjatë i thith tregu i punës. Tërmeti, procesi i rindërtimit, shtimi i pallateve, qytetet në zhvillim e sipër ka bërë që të rritet kërkesa për arkitekturë e design urban. Gjithashtu edhe shkencat kompjuterike janë në hov, pasi ditët e sotme pjesën më të madhe të shërbimeve i marrim nga sistemet elektronike dhe kërkesa për specialist në këtë fushë është e madhe”.- shprehet Anisa Sfarati, specialiste për këshillimin e karrierës.
Por vëmendja karshi disa programeve, ka ulur numrin e regjistrimeve në degë tradicionale, si ato të Universitetit Bujqësor apo të shkencave sociale. Mirëpo ekspertët këmbëngulin se jo të gjithë janë të prirur për tu pajisur me diplomë, e ata duhet ti drejtohen shkollave apo kurseve profesionale.
Për pedagogun Gent Hyka, mjedisi është një nga programet me potencial për punësim në të ardhmen; por që nënvlerësohet nga të rinjtë.
“Duke marr parasysh se për integrimin europian Shqipërisë i kërkohet në kapitullin 27 që deri në 2030 të ketë 3000 ekspertë mjedisor, tregu është vërtet i uritur e kërkon, por maturantët ngurrojnë nuk e shohin si një profesion krahasuar me mjekësinë apo inxhinieritë”.-shprehet Gent Hyka.
Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit ka ndërmarr nismën e programeve me prioritet kombëtar që nëse zgjidhen nga maturantët përjashtohen nga tarifat dhe marrin bursë sa paga minimale, por ekspertët e punësimit këshillojnë që kjo iniciativë duhet të shoqërohet me një studim tregu dhe referim të vendeve të punës gati për të diplomuarit. Regjistrimi i studentëve në raundin e parë nisi këtë të martë e përfundon në 11 shtator, teksa më të mirët po zënë vendet të parët, ka një mundësi të dytë aplikimesh nga 15 deri në 17 shtator.
Top Channel