Me copën e llamarinës në dorë dhe disa vegla që i ka të trashëguara nga stërgjyshi, Kostika Gjezi nis të krijojë një formë luleje e cila vendoset në cepat e ullukëve apo çatitë e shtëpive për të identifikuar zanatçiun.
Stema është krijuar vite më parë nga paraardhësit e tij në kohën kur zanati i llamarinistit ishte i domosdoshëm dhe puna e tij nevojitej në çdo shtëpi.
Kostika i përket brezit të 4 të familjes Gjezi të njohur për mjeshtërinë e tyre që e ruan ende këtë zanat dhe punimet e tij i bën në po të njëjtin ambient ku stërgjyshi i tij hapi punishten e parë.
Me kalimin e viteve puna e llamarinistëve nisi të kërkohet gjithmonë e më pak dhe prodhimi i mashave, saçit, mangallit, qyngjeve e shumë elementëve të tjerë u reduktuan ndaj kjo punë u kthye më shumë në shërbim të komunitetit si një pasion për të ruajtur traditën sesa burim të ardhurash.
Gjeneratat e reja nuk kanë interes për zejet e dikurshme ndaj zanatçinjtë shpesh e shohin me shqetësim mungesën e interesit të të rinjve për ti përvetësuar ato sepse kjo do të thotë që shumë mjeshtëri në pak vite do të zhduken plotësisht.
Top Channel