Vijojnë sulmet me dronë në Rusi pranë një centrali bërthamor dhe Moskës

01/09/2023 09:17

Rusia njoftoi më 1 shtator se është duke u përballur me më shumë sulme me dronë, përfshirë në afërsi të kryeqytetit dhe të një centrali bërthamor. Ukraina, ndërkohë, tha se ushtria e saj po e vazhdon kundërofensivën në lindje dhe jug të vendit kundër forcave pushtuese ruse.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se sistemet mbrojtëse ajrore i kanë rrëzuar dy dronë për të cilët tha se po i afroheshin qytetit. Dronët u rrëzuan në jug të Moskës, shkroi ai në Telegram.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, raportoi se fluturimet u pezulluan përkohësisht të premten në tri aeroportet më të mëdha të Moskës, Sheremetyevo, Domodedovo, and Vnukovo.

Ka pasur pengesa të vazhdueshme në nisje dhe ulje të aeroplanëve në aeroportet e Moskës në kohët e fundit, për shkak të rrezikut nga dronët. Një sulm me dron u raportua edhe në Kurçatov, afër një centrali bërthamor në rajonin Kursk, tha guvernatori rajonal Roman Starovoit.

Shërbimet emergjente shkuan në vendin e ngjarjes për t’i vlerësuar dëmet në një ndërtesë administrative dhe në një ndërtesë banimi si pasojë e sulmit, tha ai.

Starovoit nuk përmendi ndonjë dëm të mundshëm në centralin bërthamor të Kurskit, e as nuk dha hollësi për ndërtesat e goditura. Më herët, një guvernator lokal në rajonin perëndimor, Pskov, tha se mbrojtja ajrore ruse e kishte “neutralizuar një objekt të paidentifikuar”.

Rajoni Pskov, rreth 700 në veri të kufirit ukrainas, ishte cak i një sulmi të madh me dronë në fillim të kësaj jave. Dronët e goditën një aeroport duke e shkaktuar një zjarr masiv dhe duke i dëmtuar katër aeroplanë transportues il-76, njoftoi TASS më 30 gusht, duke cituar zyrtarët rusë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha më 31 gusht se Ukraina e ka zhvilluar një armë e cila është në gjendje ta godasë cakun 700 kilometra larg, duke iu referuar sulmi në aeroportin e Pskovit.

Zelensky tha se arma u prodhua nga Ministria e Industrive Strategjike e Ukrainës, por nuk dha hollësi të tjera.

Ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se më shumë se 25 beteja u zhvilluan në vijën e frontit në 24 orët e fundit.

Në raportin e vet ditor më 1 shtator, ushtria ukrainase tha se forcat e saj “po vazhdojnë të kryejnë operacione në drejtim të Melitopolit”.

Qëkur e nisi kundërofensivën, Ukraina i ka çliruar më shumë se dhjetëra fshatra, por ende nuk ka arritur të depërtojë në mbrojtjet kryesore të Rusisë. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA