Të rinjtë e Këshillit Mjedisor dhe ‘Friedrich Ebert’ prezantojnë “Tirana Green 2030”

31/08/2023 11:36

Këshilli Mjedisor Tiranë, në bashkëpunim me Fondacionin Friedrich Ebert, organizojnë për herë të parë “Tirana Green 2030”, një projekt që synon të fuqizojë pjesëmarrjen dhe dialogun midis të rinjve dhe qeverisjes vendore, me fokus politikat e mjedisit dhe të klimës.

Në përfundim të punës së përbashkët për hartimin e këtij projekti, Drejtoresha e Fondacionit ‘Friedrich Ebert Tirana’, Stine Klapper, së bashku me të rinjtë e Këshillit Mjedisor, u takuan me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku i përgëzoi ata për nismën dhe u premtoi mbështetje në kauza që përmirësojnë cilësinë e jetës në kryeqytet.

“Jam shumë krenar për ju dhe e vlerësoj jashtë mase që i keni dedikuar kohë këtij projekti. Kur shikoj që grupi i ka dedikuar një copë të jetës së tij një kauze të përbashkët, për një qytet më të jetueshëm, meriton respektin, mirënjohjen e përuljen time. Për të gjithë ata që thonë se në Shqipëri s’ka të rinj, se të gjithë jemi një kor i madh cinikësh, që gjejmë qimen tek syri i tjetrit dhe jo traun tek syri ynë, shembulli juaj tregon të kundërtën. Këtu ka të rinj që janë vërtetë profesionistë. Një pjesë madhe juaja, ende pa mbaruar Universitetin, tashmë janë angazhuar si profesionistë në kompani, apo organizata të caktuara, çka më mbush me shpresë”.

Kreu i Bashkisë tha se Tirana është një qytet dinamik, që mirëpret çdo projekt e çdo ide, sidomos kur ato vijnë nga të rinjtë, që e shohin kryeqytetin me perspektivën e një qyteti më të qëndrueshëm për të ardhmen e tyre.

Nga ana e saj, drejtoresha e Fondacionit ‘Friedrich Ebert’ Tirana, Stine Klapper u shpreh e lumtur për këtë bashkëpunim dhe mbështetjen që vjen nga Bashkia e Tiranës. “Për ne ky është një projekt shumë i rëndësishëm dhe jemi të lumtur që do të jemi pjesë, sepse unë mendoj se me këtë dokument ju keni, jo vetëm një koleksion të mirë idesh, por gjithashtu propozime konkrete që besojmë se do të krijojnë një Tiranë në 2030, që është shumë më e jetueshme dhe e qëndrueshme, diçka që duhet të punojmë së bashku,” u shpreh ajo.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA