Kapen shitësit e kokainës! Ministri i Brendshëm kërkon rezultate konkrete: Shkoni tek kokat e trafikut të drogës

31/08/2023 11:09

Me 3 yje të stampuara sipër për të treguar cilësinë e kokainës, 2 të rinj nga Shijaku tentuan tregëtonin në Tiranë duke ja dorëzuar një shoku të tyre, por të 3 ranë në pranga dhe pakoja me 1 kg kokainë u sekuestrua. Në pranga ranë Robert Domi, Andrea Dema dhe Genis Mustafa.

Për të shitur kokainën në kryeqytet Robert Domi e Andrea Dema kishin nevojë për figurën e Policisë. Me makinë me qira ata e sillnin kokainën nga Shijaku drejt rrugës “Vangjush Furxhi” që është vetëm pak metra nga Policia e Tiranës ku ja dorëzonin Genis Mustafës. Këtu ata ishin të sigurt se kokaina nuk do u vidhej nga grupet rivale por harruan një detaj të rëndësishëm, arrestimin në flagrancë.

Policia ka dyshime se 2 të rinjtë nga Shijaku e kanë marrë kokainën nga grosistët që e sjellin nëpërmjet Portit të Durrësit nga vendet e origjinës. Më pas Andrea Dema e Robert Domi kishin krijuar lidhjet e tyre me Genis Mustafën dhe kishin ndërtuar rrjet shpërndarësish në doza të vogla kryesisht në zonën e “Myslym Shyrit”, “21 Dhjetorit” dhe “Rrugës së Durrësit”.

Arrestimi i 3 të rinjve nuk ishte e vetmja lëvizje e Policisë së Tiranës. Në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e të gjithë rrjetit të shpërndarësve të lidhur me të arrestuarit.

Për operacioni reagoi dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili kërkoi intensifikim të goditjet kundër grupeve kriminale që shpërndajnë drogë dhe kërkoi që policia dhe autoritetet të shkojnë deri tek drejtuesit e tyre.

Policia e Shtetit po godet rrjetet e shpërndarësve të lëndëve narkotike duke shënuar rezultate konkrete, siç janë aksionet e fundit në Tiranë dhe Sarandë. Ndërsa pres më shumë rezultate në ditët e ardhshme, ripërsëris domosdoshmërinë që të shkohet tek “kokat” e këtyre grupeve kriminale sa më shpejt”- tha Balla.

Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, Ministri i Brendshëm dhe Ministrja e Arsimit Kushi do të prezantojnë një plan të detajuar për rritjen e sigurisë në shkolla.

“Publiku dhe çdo familje shqiptare presin që Policia e Shtetit të marrë më shumë përgjegjësi ndaj çdo të riu e të reje, madje dhe adoleshentë, të cilët nuk i dinë sot sa duhet rreziqet e mëdha për shëndetin dhe familjet e tyre, ndërsa bien në grackën e narkotikëve. Prandaj Policia e Shtetit duhet ta vendosë shkatërrimin e rrjeteve të shpërndarësve të lëndëve narkotike në një prioritet kryesor”, u shpreh Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA