Rusia dhe SHBA-ja diskutojnë për alternativat e eksportit të drithërave ukrainase

30/08/2023 20:11

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ndaras kanë diskutuar për alternativat e marrëveshjes për eksportin e drithërave nga Deti i Zi, pasi Moska muajin e kaluar u tërhoq nga pakti i ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.

Kjo marrëveshje mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase në tregjet globale.

Reuters, duke cituar një zyrtar nga Departamenti amerikan i Shtetit që ka folur me gazetarët, raportoi më 30 gusht se SHBA-ja dhe Rumania po punojnë për të rritur eksportet e drithërave ukrainase përmes transportimit nëpër lumin Danub. Kjo po shihet si alternativë për nismën e dështuar të Detit të Zi.

Ky zyrtar, që foli në kushte anonimiteti, tha se Uashingtoni dhe Bukureshti janë duke studiuar mundësitë që “potencialisht të dyfishohen” eksportet e drithërave që aktualisht kalojnë përmes Danubit.

“Ne po shikojmë që të mbështesim rrugë alternative: rruga e Danubit është rruga kryesore aktualisht. Kjo rrugë kalon përmes ujërave territoriale të NATO-s. Prandaj, është një rrugë shumë atraktive për ne në mënyrë që të mbajmë një korridor më të sigurt”, tha ky zyrtar për gazetarët.

Zyrtari i DASH-it shtoi se një takim do të mbahet në javët në vijim me zyrtarët nga Rumania dhe Moldavia për të diskutuar se si mund ta përdorin rrugën e Danubit në nivel maksimal.

Pavarësisht se po diskuton për rrugë alternative, Uashingtoni po ashtu mbështet përpjekjet e Ankarasë që të kthejë në marrëveshjen origjinale Moskën, shtoi zyrtari amerikan.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, më 30 gusht tha se ai dhe homologu i tij turk, Hakan Fidan, planifikojnë të diskutojnë një propozim të Moskës për një alternativë për marrëveshjen e Detit të Zi.
Dy zyrtarët pritet të takohen gjatë kësaj jave.

Përveç OKB-së, edhe Turqia kishte ndërmjetësuar marrëveshjen origjinale.

Sipas planit të Moskës, Rusia do të dërgonte 1 milion tonë drithëra në Turqi me çmim të lirë – me mbështetje financiare nga Katari – të cilat më pas Turqia do t’i përpunonte dhe do t’i dërgonte në shtetet që kanë më shumë nevojë.

Rusia po ashtu tha se do të vazhdojë t’i shohë anijet që udhëtojnë drejt Ukrainës si caqe potenciale ushtarake.

Fidan në të kaluarën ka deklaruar se nuk ka alternativë për marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi.

Rusia u tërhoq nga marrëveshja muajin e kaluar. Kjo ka shqetësuar liderët botërorë, të cilët kanë argumentuar se kjo lëvizje do të rrisë pasigurinë ushqimore në shtetet më të ndjeshme – shumia në Afrikë – dhe do të rrisë çmimet në mbarë botën.

Komisioni Evropian ka thënë se përpjekjet e Rusisë për të bllokuar dërgesat me drithërave ukrainase në Detin e Zi po krijojnë vështirësi në mesin e shteteve në zhvillim. Po ashtu, blloku evropian e ka akuzuar Moskën se po i përdor drithërat “si armë”.

Moska u tërhoq nga marrëveshja pasi akuzoi shtetet perëndimore se po bllokojnë eksportet e drithërave të Rusisë dhe të plehrave artificiale.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, pritet të udhëtojë për në Rusi në ditët në vijim për të diskutuar për marrëveshjen e drithërave me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA