Kremlini: Avioni i Prigozhinit mund të jetë rrëzuar qëllimisht

30/08/2023 14:27

Kremlini shprehet se hetuesit janë duke e konsideruar mundësinë që avioni, i cili po e barte shefin mercenar Yevgeny Prigozhin, të jetë rrëzuar qëllimisht.

Kjo është hera e parë që Rusia e pranon në mënyrë kaq të qartë se ka mundësi që Prigozhini u vra qëllimisht.

“Është e qartë se po konsiderohen versione të ndryshme, përfshirë versionin, ju e dini se për çfarë e kam fjalën – të themi, një ligësi e qëllimshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov më 30 gusht kur u pyet për hetimin.

I pyetur nëse Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil do ta hetojë rrëzimin e avionit, Peskov tha se rrethanat e bëjnë hetimin të dallojë, megjithëse e pranoi se hetuesit ende nuk kanë ardhur në përfundim formal se çfarë e ka shkaktuar saktësisht rrëzimin e tij.

“Të presim për rezultatet e hetimit rus”, theksoi Peskov.

Avioni privat Embraer, me të cilin po udhëtonte Prigozhini nga Shën Peterburgut drejt Moskës, u rrëzua në veri të kryeqytetit rus duke i vrarë të gjithë 10 personat në bord më 23 gusht.

Shkaktari nuk është gjetur ende, por fshatarët afër vendit të ngjarjes kanë thënë për Reuters se e kishin dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe pastaj e kishin parë avionin duke rënë në tokë.

Avioni u rrëzua saktësisht dy muaj pasi Prigozhini e mori kontrollin e qytetit jugor të Rusisë, Rostov, në fund të qershorit, duke e nisur një kryengritje që e tronditi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Rusia i ka njoftuar autoritetet braziliane se nuk do ta hetojë rrëzimin e avionit e prodhuar në Brazil, Embraer, sipas rregullave ndërkombëtare “tani për tani”.

I pyetur për këtë, Peskov tha: “Së pari, hetimi ka nisur, Komisioni Hetues është i angazhuar në këtë”.

“Në këtë rast, nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë aspekt ndërkombëtar”, tha Peskov.

Një ditë pas rrëzimit të avionit, Putini u shprehu ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe tha se e kishte njohur Prigozhinin për një kohë shumë të gjatë, që nga fillimi i viteve të ’90.

“Ai ishte njeri me fat të keq, dhe ai bëri gabime serioze në jetë”, tha Putin, derisa e përshkroi atë si biznesmen të talentuar.

Kremlini i ka hedhur poshtë sugjerimet e disa politikanëve dhe komentatorëve të Perëndimit se Putini e kishte urdhëruar vrasjen e Prigozhinit për hakmarrje, duke i quajtur ato “gënjeshtër absolute”.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se nuk ishte habitur nga vdekja e Prigozhinit dhe se ka pak gjëra në Rusi pas të cilave nuk qëndron Putini.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA