Përkrahën protestat e studentëve, shkarkohen 10 profesorë!

29/08/2023 11:35

Përkrahja e dhënë studenteve gjatë protestave mbarëkombëtare të shtatorit të kaluar, të cilat shpërthyen pas vdekjes së 22-vjeçares Mahsa Amini në paraburgim, i kanë kushtuar vendin e punës 10 profesorëve në Iran.

Pak javë para përvjetorit të vdekjes që ngriti në këmbë vendin, Hamideh Khademi dhe Ameneh Aali, dy profesoresha nga Universiteti Allameh në Teheran, u shkarkuan përmes telefonit, ndërsa Këshilli i Studentëve i Iranit njoftoi edhe largimin e disa profesorëve të tjerë nga Fakulteti i Letërsisë në Universitetin e Teheranit.

Për një kohë të gjatë, universitetet dhe studentët janë vënë në krye të përpjekjeve për më shumë liri politike dhe sociale në Iran. Në 1999, studentët protestuan kundër mbylljes së gazetës së përditshme Reformisti, duke e nxitur një bastisje brutale në konviktet e Universitetit të Teheranit ku mbeti i vrarë një njëri prej tyre.

Vdekja e Aminit që ishte ndaluar nga policia për shkak se e kishte shkelur ligjin për shaminë e kokës në shtator të vitit të kaluar, i ktheu sërish kampuset në vatra kundërshtimi ndaj regjimit. Autoritetet iranianë kanë arrestuar rregullisht gjatë viteve studentë aktivistë dhe liderë të tyre, duke i dënuar me burg dhe duke ua ndaluar vazhdimin e studimeve.

Ali Sharifi Zarchi, anëtar i fakultetit në Departamentin për Inxhinieri Kompjuterike në Universitetin Sharif të Teheranit, shkroi së fundi në X, dikur i njohu si Tëitter, se e kishte marrë një letër ku njoftohej se ishte shkarkuar nga universiteti. Gjatë valës së protestave, ai vazhdimisht i kishte përkrahur studentët dhe në një moment deklaroi se do t’i pezullonte të gjitha orët mësimore derisa të gjithë studentët e arrestuar në Universitetin Sharif të liroheshin.

Gjatë trazirave të fundit, mendohet të jenë arrestuar të paktën 700 studentë shumica e të cilëve përballen me dënime si: burgim dhe rrahje me kamxhik.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA