Joen Kreka është renditur i pari në listën e 400 fituesve në degën e Mjekësisë së përgjithshme.

Pasioni për mjekësinë por dhe përpjekja duke studiuar fort gjatë gjithë viteve të maturës nuk e kanë zhgënjyer aspak Joenin, ndonëse shprehet se nuk e priste këtë rezultat ku ndër 1800 kandidatë që u regjistruan në mjekësi të dilte i pari.

“Nuk e prisja në fakt sepse kisha pikë të konsiderueshme por kishte shumë nxënës me më shumë pikë se unë. Por mesa duket provimi i informatizuar pati peshë të madhe në renditjen tonë, dhe kur mora vesh që isha i pari në renditje para se të lumturohesha, u habita”, tha Joeni.

Joeni vjen nga seksioni dy gjuhësh shqip – frëngjisht dhe dijet që ka marrë e kanë shpërblyer më së miri duke e nxjerrë fitues pothuajse në të gjithë preferencat e tij.

“Kisha konkurruar  edhe në bioteknologji në farmaci, inxhinieri ndërtimi dhe në kimi industriale, teknologji ushqimore. Kam fituar 6, nga 10 preferenca që hodha. Në këto që nuk kam fituar as nuk konkurrova sepse kisha mjekësinë preferencë time dhe zgjidha të mos konkurroj në universitete private”, shtoi Joeni.

Edhe pse ai mund të studiojë ku të dojë, Joeni ka vendosur që pasionit të tij për mjekësi t’i shkojë në fund.

“Nuk ka asnjë të keqe të kontribuosh në vendin tënd. Unë njoh doktorë qe kanë zgjedhur të kontribuojnë në Shqipëri dhe ndihen shumë të vlerësuar. Dhe unë dua të bëhem një ditë si ata”, u shpreh ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA