Përdoruesit e skuterave elektrikë po shtohen dita ditës, por gjithashtu po rritet edhe shqetësimi i shoferëve të automjeteve dhe vetë këmbësorëve për shkak të rrezikut që vjen prej tyre për mosrespektim të kodit rrugor.
Për këtë arsye policia rrugore së bashku me policinë bashkiake kanë nisur një fushatë ndërgjegjësimi ku përfshihen edhe masa ndëshkimore, gjoba nga dyqind e pesëdhjetë lek deri në dy mijë lekë.
Uniformat blu se pari po ju drejtohen përdoruesve të mjeteve me pedale dhe patinave elektrike duke i këshilluar për zbatimin e sinjalistikës rrugore, e në raste kur gabimet përsëriten prej tyre do të veprojnë me gjobë. Në rregullat e hartuara parashikohet e detyrueshme mbajtja e kaskës mbrojtëse dhe që këto mjete të kenë gjendje të mirë teknike e sistemi frenimi funksionale. Drejtuesit e skuterave apo biçikletave ndalohen në rrugë me shumë qarkullim në lëvizje të zakonshme të bëjnë ecje zigzage që rrezikojnë mjetet që vijnë pas tyre.
Ndërsa në trafik të rënduar ju kërkohet të kalojnë rrugën duke mbajtur mjetin në dorë. Kur afrohen në kryqëzime, ata duhet të respektojnë sinjalet, e të zvogëlojnë shpejtësinë deri në ndalim të plotë. Ndërkaq, policia e shtetit ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të scooterave dhe bicikletave që nuk janë të pajisur me sinjalizimet e duhura, gjatë natës në rrugët pa drita. Nëse kushtet atmosferike kërkojnë ndricim nuk lejohet përdorimi edhe gjatë ditës. Atje ku pistat e mjeteve me pedal dhe të patinave ndërpriten, duke u future në rrugë me trafik të shpejtë, drejtuesit e tyre janë të detyruar ti kryejnë manovrat me kujdes të madh, duke shmangur ndryshimet e papritura të drejtimit.
Në të gjithë botën, zgjedhja e skuterave si mjet lëvizës më praktik, e për të mbaruar punë më shpejt po detyron shtetet të hartojnë dispozita ligjore kufizuese, madje disa prej tyre si Franca janë treguar edhe më të rreptë duke ndaluar tërësisht përdorimin e tyre. Pas aksidenteve të ndodhura për shkak të lëvizjes së pakujdesshme me skuter, edhe në Shqipëri po ndërmerren fushata ndërgjegjësuese.
Top Channel