Policia holandeze ra në gjurmët e një grupi shqiptarësh të përfshirë në tregtinë e drogës.
Por 7 shqiptarët e identifikuar nga autoritetet vendase kur dolën përpara gjykatës, deklaruan se nuk ishin në dijeni të punës që duhet të bënin. Ata thjesht pretenduan se ishin kontaktuar për të kryer zhytje me premtimin se do të paguheshin 2 mijë euro dhe në përfundim të punës së tyre pagesa do të arrinte në 5 mijë euro.
Zhytja do të kryhej në portin e Vlissingen, ku pas hetimeve dhe kontrolleve të kryera nga autoritetet u zbuluan kokainë, me vlerë 16 mln euro.
“Dikush në Shqipëri më kërkoi të vija në Holandë dhe se duhet të angazhohesha në një punë që kishte të bënte me zhytje”, rrëfeu njëri prej të ndaluarve, i identifikuar vetëm me inicialet S.K në shtypin vendas.
Ai insistoi se nuk i kishin shpjeguar saktësisht se çfarë duhet të bënte, dhe se çfarë duhet të nxirrte nga uji nuk i është treguar asnjëherë. Personi në fjalë kishte bërë edhe një kurs zhytjeje në Shqipëri. Ndër të tjera ai ka thënë se nuk mund të përmendë emra, pasi i rrezikohet familja. “Unë kam tre fëmijë, kam familje. Nëse unë përmend emra, u rrezikohet jeta. Sipas shtypit holandez, shtatë shqiptarët e përfshirë mund të dënohen me gjashtë vite burg.
Top Channel