Një vello misteri rrethon rrethanat e rrëzimit të aeroplanit që mbante liderin e Grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, duke e vrarë atë dhe nëntë të tjerë në bord.
Kujtohet se përveç Prigozhin në aeroplan ishin Dmitry Utkin, Valery Chekalov, këshilltari i lartë i Prigozhin,Sergei Propustin, Evgeny Makarian, Alexander Totmin dhe Nikolai Matusev. Përveç tyre, ekuipazhi i avionit përbëhej nga kapiteni Alexei Levshin, bashkëpiloti Rustam Karimov dhe stjuardesa Kristina Raspopova.
Sipas një raporti të Daily Mail, disa agjenci të pavarura ruse raportojnë se stjuardesa foli me familjen e saj përpara nisjes dhe raportoi se fluturimi ishte vonuar për shkak të një kontrolli teknik dhe riparimeve të paspecifikuara. Ky informacion vjen pasi disa burime ruse pohuan se Artem Stepanov i cili ishte kryesisht piloti i Prigozhin, ishte me pushime në një zonë të largët.
Zbulohet se stjuardesa jetonte në Moskë, ndoqi një shkollë private dhe studioi në universitetin e drejtësisë dhe ekonomisë në kryeqytetin rus. Në fakt, postimi i fundit që kishte bërë në rrjetet sociale ishte në mëngjesin e së mërkurës, ku duket se ka drekuar në një kafene aeroporti.
Sipas mediave ruse, stjuardesa dyshohet se ka lidhje me shërbimet ruse të sigurisë. Ajo ishte motra e një zyrtari në qytetin e Jemanzhelinsk. Në të njëjtën kohë, vajza e bashkëpilotit, duke folur për mediat ruse, deklaroi se babai i saj kishte punuar me shefin e Wagner për shumë vite.
Top Channel