SHBA dërgon astronautin e vet edhe në një tjetër fluturim rus

25/08/2023 19:04

Autoritetet hapësinore të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur marrëveshje për ta dërguar edhe një herë një astronaut amerikan në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar përmes anijes kozmike ruse, Soyuz MS, raportoi agjencia e lajmeve Interfax të premten.

Kjo është një shenjë e rrallë e bashkëpunimit dypalësh mes tyre në një kohë kur tensionet janë të larta, për shkak të luftës në Ukrainë.

Fluturimi është pjesë e një marrëveshjeje mes Agjencisë Hapësinore të Rusisë, Roskosmos, dhe NASA-s në Shtetet e Bashkuara, për fluturime në Stacionin Hapësinor Ndërkombëtar (SHI).

“Njëri nga amerikanët është lënë [në bord] për dy misionet. Ne e kemi shtuar një tjetër fluturim për ta kompensuar kohën e kaluar në stacion”, tha për Interfax Sergei Krikalev, drejtor ekzekutiv i korporatës shtetërore të programeve hapësinore ruse.

“Ky është përfitim biznesor për të dy palët, ne bashkëveprojmë me njëri-tjetrin dhe e kërkojmë opsionin më të mirë. Në parim, një rrëfim i mirë – shkëmbimi i fluturimeve – i shton paksa besueshmëri programit tonë”, theksoi ai.

Uashingtoni dhe Moska e kanë ruajtur bashkëpunimin hapësinor, megjithëse marrëdhëniet mes tyre prekën pikën më të ulët në dekadat e fundit për shkak të luftës në Ukrainë, me astronautët që kanë qëndruar së bashku në SHI, si dhe kanë fluturuar së bashku.

Sipas një marrëveshjeje të nënshkruar vitin e kaluar si pjesë e programit të SHI-së për fluturime, tre kozmonautë rusë do të fluturojnë me anijen kozmike të Shteteve të Bashkuara, Dragon, dhe tre astronautë amerikanë me anijen kozmike ruse, Soyuz MS, gjatë viteve 2022-2024.

Rusia ka thënë se do të heqë dorë nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar, dhe se do ta themelojë stacionin e vet hapësinor të pavarur në të ardhmen, megjithëse ende janë duke u diskutuar planet për atë se si dhe kur do të ndodhë kjo.

SHI-ja, një laborator shkencor me madhësinë e një fushe futbolli dhe me orbitë rreth 400 kilometra mbi tokë, është zënë vazhdimisht për më shumë se dy dekada nga partneriteti SHBA-Rusi, që përfshin edhe Kanadanë, Japoninë dhe 11 vende evropiane.

Programi hapësinor i Rusisë pësoi goditje të rënë këtë javë kur anija kozmike pa pilot, Luna-25, u rrëzua në tentim për të zbarkuar në polin jugor të Hënës, tri ditë pata se India ta dërgonte me sukses anijen e vet kozmike, Chandrayaan-3./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA