Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë/ Kryeministri Rama inspekton punimet e ndërtimit

25/08/2023 12:32

Rruga Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e korridorit VIII, për të cilën aktualisht po punohet me ritme të shpejta në terren, është një nga projektet infrastrukturore premtuese me një dimension shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në zonën juglindore të vendit, si dhe lidhjes së vendit tonë me Maqedoninë, Greqinë dhe Bullgarinë.

Kryeministri Edi Rama së bashku me Zv/kryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, ishte në terren për të inspektuar ecurinë e deritanishme të punës në rrugën që po ndërtohet, e cila fillon në dalje të qytetit të Elbasanit, në fshatin Labinot Fushë dhe përfundon në kilometrin 44, në afërsi të pikës doganore Qafë Thanë.

“Jemi në lotin e parë të rrugës Elbasan- Qafë Thanë. Një vepër që do të zhvillohet në 8 lote ndërkohë që loti i parë dhe i dytë janë aktivë në këtë moment. Në vitin 2024 do vazhdojmë me hapjen e lotit te pestë dhe të gjashtë. Viti 2025 do jetë viti i lotit të 7 dhe të 8, duke qenë se ka të bëjë edhe me financimet si do të vazhdojmë. Është një pjesë e rëndësishme e korridorit të 8-të që nis nga fshati Labinot Fushë dhe vazhdon 44 kilometra ne një rrugë që siç e shikoni ju me të gjitha parametrat e autostradës moderne, kushteve të sigurisë edhe kategorisë së rrugës dhe vazhdon deri në afërsi të qafë Thanës”, tha Rama.

Projekti do të shtrihet në një gjurmë tërësisht të re buzë lumit Shkumbin. Deri tani janë realizuar 95% e veprave të artit si ura, tombino, bokse. Ka përfunduar mbrojtja lumore dhe janë në përfundim shtresat mbushëse të trupit të rrugës ku në total ka përfunduar 42% e punimeve

FOTO GALERI
1/4

Top Channel