Po cilësohet si historike fotoja e regjistrave policore e bërë ish presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump në burgun e Fultonit në Atlanta, ku ai u dorëzua pas akuzave për 13 vepra penale, si pjesë e një padie që rrjedh nga përpjekjet e tij për ta përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.
Publikimi i fotos në fjalë e bën Trumpin ish-presidentin e parë në historinë e SHBA-së që fotografohet si i akuzuar. Trump u largua nga burgu rreth 20 minuta pasi hyri dhe u nis drejt aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës, ku avioni i tij privat po e priste për ta kthyer atë në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi. Ky ishte arrestimi i tij i katërt në pesë muaj për një akuzë penale, por e para herë që i merrej fotoja.
Pas largimit nga burgu, ai u rikthye në platformën X, të njohur më herët si Twitter, duke publikuar mesazhin e parë pas më shumë se dy vjet e gjysmë. Ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë postoi foton shoqëruar me komentin: Ndërhyrje në zgjedhje. “Nuk dorëzohem kurrë!
Trump iu bashkua në këtë mënyrë një sërë figurave publike amerikane, fotot e të cilëve kanë përfunduar në regjistrat e policisë si Elvis Presley, Frank Sinatra apo Dr Martin Luther King Jr. 77-vjeçari tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar duke u bërë ish-presidenti i parë i SHBA-së që përballet me akuza penale, megjithëse katër rastet e ngritura kundër tij nuk e kanë dëmtuar statusin e tij si favorit në garën për nominimin republikan për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm për presidencë amerikane.
Aktpadia e ngritur nga prokuroria e qarkut të Fultonit në Xhorxhia, është çështja e katërt penale kundër zotit Trump që nga muaji mars, kur u bë ish presidenti i parë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballej me aktpadi. Ai po përballet me akuza federale në Florida dhe Uashington.
Top Channel