Pas akuzave për zgjedhjet, Trumpit i grumbullohen të dhënat personale në burgun e Atlantës

25/08/2023 08:13

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, u largua nga burgu i Fultonit në Atlanta, pasi u akuzua për 13 vepra penale më 24 gusht, si pjesë e një padie që rrjedh nga përpjekjet e tij për ta përmbysur humbjen e tij në Xhorxhia gjatë zgjedhjeve të vitit 2020.

Trump u largua nga burgu rreth 20 minuta pasi hyri dhe u nis drejt aeroportit Hartsfield-Jackson të Atlantës, ku avioni i tij privat po e priste për ta kthyer atë në klubin e tij të golfit në Nju Xhersi.

77 vjeçari tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar duke u bërë ish-presidenti i parë i SHBA-së që përballet me akuza penale, megjithëse katër rastet e ngritura kundër tij nuk e kanë dëmtuar statusin e tij si favorit në garën për nominimin republikan për ta sfiduar presidentin demokrat, Joe Biden, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të ardhshëm për presidencë.

Pasi u dorëzua në burgun në Atlanta, Trump u rikthye në platformën X, më herët të njohur si Twitter, duke publikuar mesazhin e parë pas më shumë se dy vjet e gjysmë.

Ai e postoi fotografinë e tij të bërë në burg, të cilës ia bashkëngjiti fjalët “Ndërhyrje në zgjedhje. “Nuk dorëzohem kurrë!”

Ky ishte postimi i parë i Trumpit që nga 8 janari 2021, kur Twitter e pezulloi llogarinë e tij për një kohë të pacaktuar, shkaku i frikës se ai do të nxiste dhunë shtesë pas sulmit të 6 janarit në ndërtesën e Kapitolit të SHBA.

Ish-presidenti republikan përballet me 13 akuza penale, përfshirë shantazh dhe presion ndaj zyrtarëve shtetërorë për ta kthyer humbjen e tij në zgjedhje nga presidenti demokrat, Joe Biden.

Rasti i Xhorxhias përbën aktakuzën e katërt të ngritur ndaj Trump. Ai përballet me një gjyq në Nju Jork lidhur me një pagesë të bërë ndaj një ylli të pornografisë dhe një gjyq në Florida për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara federale.

Një tjetër aktakuzë, në Uashington, e akuzon atë për përpjekje të paligjshme për ta përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka kërkuar që gjyqi të nisë në janar, por ende nuk është caktuar një datë.

Trump është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij. /REL

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA