Edhe pse jemi në fund të sezonit turistik duket se Lezha nuk gjen qetësi nga ngjarjet kriminale.
Një konflikt i çastit mes disa të rinjve mbrëmjen e djeshme çoi edhe në plagosjen e 2 prej tyre, përkatësisht Albert Gjinaj dhe Gentian Nikolli, ku ky i fundit ka marrë më tepër lëndime. Të dy të rinjtë janë transportuar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, ku kanë marrë edhe ndihmën e parë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim si të dyshuar për këtë ngjarje 3 vëllezërit Kristian Frajd dhe Bledar Curri të cilët ishin dhe pronarët e lokalit.
Ngjarja u shënua rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme në ambientet e një lokali në zonën e Renës së Hedhun. Burime thonë se 2 të plagosurit ishin të pirë dhe kishin filluar të krijonin shqetësim në ambientet e lokalit. Pasi kanë dalë jashtë janë konfliktuar me vëllezërit dhe më pas sherri ka degraduar deri në përdorim të armëve.
Janë shoqëruar në komisariat disa persona të cilët kanë qenë dëshmitar në vendin e ngjarjes, e ndërkaq siç thonë burime në dëshminë e tyre, 2 të rinjtë kanë pranuar se kanë qenë të pirë dhe nuk i kanë kontrolluar veprimet. Ende mbetet mister për policinë se cili prej vëllezërve ka qëlluar drejt 2 të rinjve thonë burime, por kjo mbetet të sqarohet me tej edhe nga pamjet filmike si dhe provat e mbledhura në vendin e ngjarjes.
Policia po punon për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.
Top Channel