Vizita dyditore e cilësuar si në kuadër të ofensivës diplomatike për ndryshimet kushtetuese, e të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, filloi sot me takim me presidentin e Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski.

Kjo vizitë e Escobar është pikërisht në periudhën kur procedura e ndryshimeve kushtetuese është në Kuvend, dhe kur për miratimin e nevojës së saj nevojiten 80 vota.

“Uashingtoni zyrtar shprehu pritjen se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e mbështetjes që Shtetet e Bashkuara ofrojnë për arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë. Në këtë drejtim, në takim u diskutua për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të përparuar në procesin e integrimit në BE”, thonë nga Kabineti i Presidentit Pendarovski, raporton Alsat.

Escobar sot nuk është prononcuar por një konferencë të përbashkët për media pritet të mbajë nesër me kryeministrin maqedonas Dimitar Kovaçevski.

Ai nesër do të takojë edhe kreun e opozitës Hristijan Mickoski.

Departamenti Amerikan i Shtetit më herët gjatë ditës ka deklaruar se zëvendësndihmës sekretari Gabriel Eskobar shpreson në diskutime produktive me përfaqësuesit politik në vend.

“Eskobar udhëton në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar çështje dypalëshe dhe rajonale dhe për të vazhduar të forcojë partneritetin tonë me një aleat të vlerësuar të NATO-s. Ai pret me padurim diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë gjatë vizitës së tij, veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit.

Ndryshimet kushtetuese për momentin është e sigurt se gëzojnë mbështetjen e vetëm 70 deputetëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA