Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i rikujtoi forcave politike se për zgjedhjet e 24 shtatorit në Kukës kanë afat regjistrimi deri në datën 1 shtator ndërsa kandidatët deri më 8 Shtator.
Kur afatet kohore të vendosura nga KQZ po i afrohen fundit, PD e Sali Berishës ngulmon se paçka se kemi të bëjnë me zgjedhje vetëm në një bashki, kandidati duhet të zgjidhet përmes “Primareve”.
Zhvillimi i tyre do të jetë më 27 gusht, nga ku demokratët e Kukësit kanë si zgjedhje për të votuar 10 kandidatura.
Një ndër emrat e propozuar nga PD e Lulzim Bashës Arif Rexhmati shprehet se PD duhet të përfaqësohet me një kandidat të vetëm, sipas kërkesës së demokratëve të Kukësit dhe argumenton se përse nuk duhet të zhvillohen Primaret.
“Futja në një proces primaresh kur ka mbetur vetëm një muaj nga zgjedhjet dhe kur situata e brendshme e demokratëve vazhdon të vuajë pasojat e konfliktualitetit dhe të fajësimit, me gjithë qëllimin e mirë në vetvete, nuk i shërben konsolidimit të strukturave dhe gatishmërisë së tyre për fushatën. Hatër mbetjet e pas votimit krijojnë përçarje dhe jo bashkim të anëtarësisë, ndërsa besueshmëria e procesit jo vetëm që nuk jep garanci për bashkim por mund të jetë burim konflikti gjatë dhe pas procesit, me dëme të pariparueshme për rezultatin në zgjedhje”.
Ky qëndrim i Arif Rexhmatit disa orë më pas u pasua me vendimin e marrë prej kandidati potencial i “Rithemelimit”, Admir Sinamati, për të mos kandiduar.
“Për fat të mirë edhe nga radhët e demokratëve tashmë kemi një numër të madh kandidatësh optimistë për përfshirje në kandidim dhe besimin në fitore, kur një realitet i ri politik po do me marrë formë (bashkim lokal me poseduesit e vulës së PD), disa arsye të tjera personale si dhe për shkak të botëkuptimit tim politik, unë jam i bindur se opozita në Kukës dhe PD nuk do të ndjejë aspak moskandidimin tim”.
Top Channel