Rusia godet Dnpiron në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, teksa luftimet vazhdojnë

24/08/2023 09:09

Rusia nisi një sulm me raketa në qytetin në jug të Ukrainës, Dnpiro në orët e para të 24 gushtit, duke plagosur shtatë persona. Ky sulm erdhi përderisa Ukraina përgatitej ta festonte Ditën e Pavarësisë mes luftimeve të ashpra në lindje dhe jug.

“Shpërthime të fuqishme në mes të natës në Dnpiro”, tha guvernatori rajonal i Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak, më 24 gusht në platformën Telegram, duke shtuar se një objekt për shërbime transporti ishte shkatërruar.

Lysak tha se tre burra dhe katër gra, nga 32 deri në 55 vjeç, mbetën të plagosur pas këtij sulmi dhe shtoi se gjashtë prej tyre ishin dërguar për trajtim në spital.

Dhjetëra objekte civile u dëmtuan, përfshirë një bankë, një pikë karburanti, një hotel, një kompani bujqësore, një fabrikë mobiljesh, një ndërtesë administrative dhe dy ndërtesa banimi.

Zëdhënësi i forcave ajrore të Ukrainës, Yuriy Ihnat, tha në një deklaratë se Rusia goditi gjatë natës me raketa balistike S-300, Iskander K dhe Iskander M, duke shtuar se një raketë Iskander K u rrëzua nga mbrojtja ajrore ukrainase. Ai nuk dha detaje të tjera.

Shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë paralajmëruar se ka një rrezik në rritje se mund të ketë sulme ajrore ruse në Ukrainë gjatë Ditës së Pavarësisë.

Më 23 gusht, të paktën katër persona u vranë në një valë sulmesh ruse në rajonet verilindore dhe jugore të Ukrainës që dëmtuan gjithashtu objektet e eksportit të drithërave.

Katër mësues u vranë në Romny, një qytet në rajonin verilindor Sumy në kufi me Rusinë, në një sulm me raketa që shkatërroi një shkollë.

Në pjesën jugore të Ukrainës, një sulm tre-orësh me dronë rus në rajonin e Odesës dëmtoi shumë objekte dhe shkaktoi zjarre në ndërtesat ku ruheshin drithërat.

Zyrtarët lokalë raportuan se kishte gjithashtu shpërthime në Izmayil, një nga dy portet ukrainase në Danub që janë përdorur nga Kievi për të eksportuar drithëra pasi një marrëveshje e ndërmjetësuar nga OKB-ja skadoi muajin e kaluar pas tërheqjes së Rusisë.

Mediat rumune raportuan se shpërthime mund të dëgjoheshin edhe në Tulcea, një port rumun në Danub, vetëm 15 kilometra larg nga Izmayil.

Në fushëbetejës, ushtria e Kievit tha se forcat ukrainase kanë ngritur flamurin kombëtar në çatinë e një shkolle të dëmtuar rëndë në vendbanimin Robotyne në rajonin jugor të Zaporizhjas.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i konfirmojë informacionet për zhvillimet në fushëbetejë dhe nëse i gjithë komuniteti në fshatin Robotyne është çliruar.

Forcat ukrainase zmbrapsën kundërsulmet ruse në rajonet lindore të Donjeckut dhe Harkivit dhe në rajonin jugor të Zaporizhjas, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm më 24 gusht.

Forcat ukrainase vazhduan avancimin e tyre drejt Melitopolit, tha ushtria. Melitopol, i njohur si “porta e Krimesë”, u kap nga trupat ruse në mars të vitit të kaluar, pas disa ditëve me luftime të ashpra./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA