Norvegjia ka vendosur t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë luftarakë F-16, duke u bërë kështu vendi i tretë që i ndihmon asaj me aeroplanë në luftën kundër Rusisë, njoftuan mediat norvegjeze të enjten.
Mediat norvegjeze nuk cituan ndonjë burim, e as nuk treguan për sa aeroplanë luftarakë bëhet fjalë, apo për datën se kur do t’i dhurohen ata Kievit, i cili është duke e kryer një kundërofensivë kundër forcave pushtuese ruse në lindje të vendit.
E kontaktuar nga AFP, një zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes së Norvegjisë nuk ka mundur “as ta konfirmojë, e as ta mohojë” lajmin.
Ky lajm vjen në ditën kur kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, e bëri një vizitë befasuese në Kiev më 24 gusht, në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.
Gjatë vizitës së tij, Norvegjia njoftoi se do ta furnizojë Kievin me raketa kundërajrore Iris-T, pajisje çminimi, dhe do ta ndihmojë me një pako në vlerë prej 141 milionë dollarësh për blerjen e gazit dhe rrymës këtë dimër.
Por, nuk pati njoftim zyrtar për avionët luftarakë F-16. Kryeministri Store pritet të flasë në një konferencë për media në Kiev pasditen e së enjtes.
Nga 57 avionët luftarakë F-16 që Norvegjia i ka nxjerrë në shitje zyrtarisht, 32 u janë shitur tashmë Rumanisë dhe 12 grupit amerikan, Draken International, por ende nuk u janë dorëzuar atyre.
Nëse lajmi i transmetuesve NRK dhe TV2, dhe i gazetës Aftenposten konfirmohet, Norvegjia do të bëhet shteti i tretë, pas Danimarkës dhe Holandës, që i dhuron avionë luftarakë F-16 Ukrainës.
Kopenhaga është zotuar për t’ia dhuruar asaj 19 avionë, ndërsa Haga do t’ia japë 42, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Top Channel