Debati i parë i kandidatëve republikanë që po përpiqen të fitojnë emërimin e Partisë Republikane për të kandiduar, për president të Shteteve të Bashkuara, u kthye në një përplasje të zhurmshme mes tyre, edhe pse shumë mendonin se pa Donald Trumpin, përballja do të kishte qenë e mërzitshme.
Trump zgjodhi të mos merrte pjesë, me argumentimin se ai gëzon ndërkohë epërsinë në këtë garë, e dëshmuar kjo edhe nga sondazhet. Mungesa e ish-presidentit qe një provë vendimtare për guvernatorin e Floridës, Ron DeSantis, i cili nuk ka mundur të rrisë mbështetjen pavarësisht se renditet i dyti pas Trump.
“Vendi ynë është në rënie”, tha guvernatori i Floridës Ron DeSantis i cili u duartrokit nga të pranishmit, dhe më shumë sulmet e tij i drejtoi nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden. Mike Pence nga ana tjetër kujtoi punën e bërë si zv/president.
“Jam jashtëzakonisht krenar për punën e administratës së Trump- Pence. Në katër vite të shkurtra, ne rindërtuam ushtrinë tonë. Ne ringjallëm ekonominë, cliruam energjinë amerikane dhe emëruam tre konservatorë në Gjykatën e Lartë që i dha popullit amerikan një fillim i ri për të drejtën e jetës”, u shpreh Mike Pence.
Nikki Hailey, bashkëshorti i të cilës është me origjinë shqiptare, nuk u tregua shumë e butë me kundërshtarët.
“Keni Ron DeSantis, keni Tim Scott, keni Mike Pence të gjithë votuan për të rritur borxhin dhe Donald Trump i shtoi 8 trilionë borxhit tone. Fëmijët tanë nuk do të na falin kurrë për këtë. Dhe kështu në fund të ditës, po të shikoni buxhetin e 2024-ës, rezulton që republikanët kërkuan 7.4 miliardë, demokratët kërkuan 2.8 miliardë, kështu që më thoni ju se cilet janë shpenzuesit e mëdhenj. Mendoj se është koha për një ekonomist në Shtëpinë e Bardhë”, tha Nikki Hailey.
Ndërsa kanë mbetur më pak se pesë muaj nga fillimi i procesit të përzgjedhjes së kandidatit republikan për president, debati është një mundësi kritike që kandidatët të prezantohen përpara miliona votuesve. Ndërsa guvernatori i Floridës Ron DeSantis pritej të ishte objektivi kryesor i sulmeve, kandidatët i përqendruan sulmet e tyre ndaj sipërmarrësit Vivek Ramaswamy, mbështetja ndaj të cilit ka filluar të rritet.
Top Channel