Udhëheqësit e bllokut të vendeve në zhvillim, BRICS, kanë ftuar Arabinë Saudite, Iranin, Etiopinë, Egjiptin, Argjentinën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për anëtarësim.
Kjo ftesë vlerësohet si një tentim për ta rritur ndikimin në botë të këtij blloku që është zotuar ta mbrojë “Jugun Global”. Sipas një definicioni të dhënë nga Universiteti i Virxhinias, nocioni “Jugu Global” u referohet shteteve të disfavorizuara ekonomikisht.
Zgjerimi gjithashtu mund t’ua hapë rrugën dhjetëra vendeve të interesuara për anëtarësim në BRICS, ku aktualisht janë të anëtarësuar Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut. Këto kërkesa vijnë në një kohë kur polarizimi gjeopolitik po i nxit përpjekjet e Pekinit dhe Moskës për ta forcuar këtë bllok si një kundërpeshë të qëndrueshme ndaj Perëndimit.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, i cili po e organizon samitin e këtij viti të liderëve të BRICS-it, njoftoi më 24 gusht se kandidatët e rinj do të pranohen si anëtarë më 1 janar të vitit të ardhshëm.
Debati mbi zgjerimin e BRICS-it ka qenë në krye të agjendës gjatë samitit treditor që po zhvillohet në Johanesburg. Përderisa të gjithë anëtarët e BRICS-it shprehën publikisht mbështetjen për zgjerimin e bllokut, drejtuesit nuk u pajtuan lidhur me detajet e këtij procesi.
Megjithëse rreth 40 për qind e popullsisë së botës dhe një e katërta e prodhimit të brendshëm bruto global i takojnë vendeve të BRICS-it, ky bllok nuk ka arritur ta ketë ndikimin e dëshiruar si një lojtar politik dhe ekonomik global.
Më shumë se 40 vende kanë shprehur interesim për t’iu bashkuar BRICS-it, thonë zyrtarët e Afrikës së Jugut, dhe 22 vende kanë kërkuar zyrtarisht të pranohen.
Ata përfaqësojnë një grup të ndryshëm kandidatësh potencialë të motivuar kryesisht nga dëshira për ta ndryshuan rendin botëror, të cilin shumë prej tyre e konsiderojnë të manipuluar kundër tyre dhe në favor të shteteve të perëndimit.
Top Channel