Shkencëtari rus që qëndronte në krye misionit që dështoi në Hënë, dërgohet me urgjencë në spital

21/08/2023 13:36

Një shkencëtar rus që ëndërronte prej kohësh që Rusia të prekte sipërfaqen e Hënës, është dërguar në spital pas rrëzimit të Luna-25.

Anija kozmike robotike Luna-25 hyri në orbitën hënore të mërkurën e kaluar, ku më pas u zhduk nga radarët.

“Luna-25 përjetoi një situatë emergjente dhe papritur e ndërpreu ekzistencën e tij”, tha agjencia hapësinore Roscosmos.

Mikhail Marov, 90 vjeç, të cilin mediat lokale e përshkruan si një konsulent kyç në ekspeditë, pësoi përkeqësim të shëndetit kur mësoi se misioni dështoi.

Astronomi ka thënë për median RBC dhe gazetës Moskovsky Komsomolets se dështimi në këtë mision ishte shkatërrues, e kjo gjë ndikoi në përkeqësimin e shëndetit të tij.

“Jam nën vëzhgim. Si të mos shqetësohem, kjo është kryesisht një çështje jete. Gjithçka është shumë e vështirë”, u tha ai gazetarëve nga spitali më i lartë i Rusisë.

Marov shtoi: Është e trishtueshme që nuk arritëm ta vendosim pajisjen. Për mua, kjo ishte ndoshta shpresa e fundit për të parë ringjalljen e programit tonë hënor.

Marov i kishte kërkuar zyrtarëve që të mos e mbanin të fshehtë dështimet e projektit. Profesori i Fizikës Planetare në Universitetin Shtetëror të Moskës dhe një lojtar kryesor në udhëtimet e Rusisë në Mars dhe Venus, është shtruar në Spitalin Klinik Qendror të Moskës.

Klinika, e ndërtuar në një zonë periferike të pyllëzuar të Kuntsevo, është shumë e mbrojtur dhe shpesh njihet si “Spitali i Kremlinit”.

Sipas Forbes Russia, Marov është një gjigant i epokës sovjetike që ndihmoi në ndërtimin e programit hapësinor të vendit. Ai personalisht i njihte krijuesit e mburojës raketore bërthamore të BRSS, Sergei Korolev, Igor Kurchatov dhe Mstislav Keldysh.

Misioni Luna-25, i cili u nis më 11 gusht, ishte kapitulli i fundit në karrierën e gjatë të Marov në eksplorimin e kozmosit. Rusia shpresonte se roveri do të bëhej i pari që do të arrinte në rajonin polar jugor të hënës, që thuhet se përmban akull uji.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA