Dy adoleshentë janë shpëtuar nga policia pasi mbetën gjatë natës në mes të detit të Shëngjinit.
Jet Ski-ja e tyre pësoi defekt, ndërsa policia kufitare e Shëngjinit mori njoftimin se dy të rinjtë ishin futur në detin e Ranës së Hedhun me mjetin lundrues dhe nuk ishin kthyer më në breg, duke humbur kontaktet me familjarët e tyre.
Policia ka nisur menjëherë kontrollet dhe pas gjysëm ore është gjetur njëri prej tyre rreh 5 milje larg nga bregu, 17-vjeçari, pasagjer i Jet Ski, i cili po tentonte të dilte në breg me not, për të kërkuar ndihmë. Atij i është dhënë ndihma e parë, ndërsa më pas është gjetur edhe shoku i tij 18-vjeçar, i cili ka qëndruar në Jet Ski-në e cila rrezikonte të fundosej.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare kanë tërhequr në breg, mjetin lundrues Jet Ski që kishte pësuar defekt.
Të dy adoleshentët që u shpëtuan nga shërbimet e Policisë Kufitare, janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata dhe familjarët e tyre kanë falendëruar shërbimet e Policisë Kufitare, për ndërhyrjen e shpejtë dhe ndihmën që iu ofruan.
Po gjatë ditës së djeshme, shërbimet e Policisë Kufitare Shëngjin iu shkuan në ndihmë në dy raste, 4 shtetasve që rrezikuan të mbyteshin në det (një shtetasi austriak dhe 3 shtetaseve nga Kosova).
Top Channel