Një 35-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës pasi transportonte me furgon 21 emigrantë nga vendet e treta, kundrejt pagesave 1000-1500 euro/person.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Korçë, pas hetimeve proaktive njëjavore, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, rajoni Korçë-Elbasan, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Midnight 15”, duke vënë në pranga shtetasin me iniciale D. D., banues në Shkozet, Durrës.
35-vjeçari u kap mbi fshatin Vërdovë, Pogradec, teksa po transportonte emigrantët me furgon, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, me destinacion final shtetet e BE-së. Në vijim të veprimeve procedurale, në celularin e 35-vjeçarit, u gjetën aktive faqe online për vënie të kundërligjshme, të basteve sportive.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan furgoni me të cilin transportoheshin emigrantët, 2 celularë dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel