Ish-zyrtarët para drejtësisë, Rama përshëndet punën e SPAK dhe GJKKO-së për “Sterilizimin”: PS-ja iniciuese e Reformës në Drejtësi

18/08/2023 10:21

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur punën e kryer nga Prokuroria e Posaçme dhe GJKKO për vendosjen para drejtësisë së ish-zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim detyre dhe mashtrim në rastin e koncesionit të sterilizimit.

Përmes një mesazhi në Twitter, Rama e konsideroi rastin një sukses të qeverisë, pasi ishte Partia Socialiste ajo e cila, sipas tij, inicioi Reformën në Drejtësi.

“Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Po ata harrojnë se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht kësaj qeverie, e cila ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë”- theksoi Rama, duke shtuar se ishte insistimi dhe puna e palodhur e qeverisë që i dha jetë drejtësisë së re.

“Puna e pandërprerë e SPAK-ut dhe GjKKO edhe në gusht meriton respekt e falenderime! Me këtë rast le të rikujtojmë kush e premtoi, filloi dhe mundësoi Reformën në Drejtësi, pas një kohe të gjatë lëngimi të Shqipërisë në batakun e padrejtësisë, kur askush s’kishte guxim as ta mendonte, jo ta bënte drejtësinë të pavarur nga qeveria.

SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ranë nga qielli, po erdhën në jetë si shprehje e vullnetit të sinqertë e të palëkundshëm shtetndërtues. Nuk ishin fjalë të bukura si ato të 100 vjetëve të shkuara me radhë, kur unë dhe Partia Socialiste iu zotuam popullit shqiptar, se do të ndërtojmë një drejtësi të re, të pavarur, europiane, që do t’i japë fund kancerit të pandëshkueshmërisë. Kjo drejtësi sot ka lindur e po rritet përditë, sepse Partia Socialiste e Shqipërisë mbajti zotimin e saj më solemn e më të vështirë për të realizuar, përballë 100 viteve përqeshjeje me drejtësinë në historinë e shtetit shqiptar, kur nuk u prek kurrë dot nga drejtësia asnjë individ i pushtetshëm apo i lidhur me pushtetin, ku drejtësia ishte një shëmtirë e fortë me të dobëtit dhe e dobët me të fortët.

Disa flasin sot sikur SPAK-u është dallga e Zotit dhe qeveria porti i Djallit. Po ata harrojnë se dallgën e drejtësisë e ka ngritur në krye të herës guximi, vullneti dhe ambicia për Shqipërinë e pikërisht kësaj qeverie, e cila ndryshon si dita me natën me ato të mëparshmet e 100 vjetëve pengmarrje të drejtësisë. Kjo qeveri dhe askush tjetër e hapi me gjoks rrugën e drejtësisë së re dhe kurrë nuk do ta pengojë drejtësinë në rrugën e vet, kudo ku ajo të hyjë, brenda qeverisë, rrotull saj, mbrapa saj apo nën ombrellën e saj. Falë besimit se ky vend bëhet dhe fuqisë së kësaj qeverie për të hequr dorë nga kontrolli i drejtësisë, e për ta mbështetur atë pa kushte kundër korrupsionit e krimit të organizuar, Shqipëria Europiane, që po hedh shtat dita – ditës mes 1000 sfidave, pengesave e vështirësive, do t’i provojë vetes e botës se historia nuk është një mallkim i përjetshëm, se historinë janë vetë njerëzit e çdo gjenerate që e shkruajnë me forcën e ëndrrave, shpresave, këmbënguljes së tyre dhe se në ngjitjen drejt majës që meritojnë brezat që vijnë, këtë vend nuk ka më forcë që ta ndalë të shkruajë një histori të re”- shkruan Rama.

Hetimet e SPAK prej dy vite e gjysmë konstatojnë se koncesioni i sterilizimit është dhënë në kundërshtim me ligjin. Prokuroria e Posaçme ka firmosur tetë urdhër-arreste për ish-zyrtarë të implikuar në aferën me vlerë 100 milion euro. Sakaq, ditën e djeshme u dha masa “arrest me burg” për ish zv. ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe biznesmenin Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.

Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, e cila theksoi se kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.

Një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA