Një infermiere britanike është gjetur fajtore për vrasjen e shtatë fëmijëve të porsalindur dhe tentim për vrasjen e gjashtë të tjerëve në një spital të neonatologjisë ku ajo punonte.
Lucy Letby, 33-vjeçare, u përball me akuzat që nga tetori i vitit të kaluar. Ajo u akuzua se u kishte injektuar viktimave, foshnje të porsalindura që ishin ose të sëmura ose kishin lindur para kohe, ajër, i ka mbiushqyer me qumësht dhe i ka helmuar me insulinë.
Një juri në Gjykatën Mbretërore të Mançesterit e shpalli atë fajtore pasi për 22 ditë shqyrtoi dosjen e saj.
Letby ishte arrestuar pas vdekjeve të disa foshnjave në njësinë neonatale të spitalit Çester në veriperëndim të Anglisë. Vdekjet kishin ndodhur nga qershori i vitit 2015 deri në qershor të vitit 2016 ku ajo ishte në turn.
Prokuroria tha se Letby kishte “kalkuluar” gjithçka dhe kishte përdorur metoda të vrasjes “që nuk lanë shumë gjurmë pas”.
Letby vazhdimisht ka mohuar se u ka bërë keq foshnjave.
Gjatë gjykimit janë dëgjuar edhe dëshmitë e kolegëve të infermieres, të cilët thanë se kishin vërejtur se Letby kishte qenë në punë në çdo rast kur foshnjat e porsalindura kishin vdekur.
Letby ishte arrestuar dhe ishte liruar dy herë. Ajo u arrestua për herë të tretë më 2020 dhe që atëherë ndodhej në burg.
Gjatë kontrolleve në shtëpinë e saj, policia kishte gjetur dokumente të spitalit dhe shënime të cilat i kishte shkruar vetë Letby. Në një prej shkrimeve thuhej: “Jam e lig, unë e kam bërë këtë”.
Letby më vonë pretendoi se ky shënim ishte bërë pasi ishte transferuar të kryente punë administrative pas vdekjes së dy trinjakëve brenda 24 orëve. Mjekë dhe kolegë të saj disa herë kishin ngritur zërin te menaxherët e spitalit për vdekjet e papritura të foshnjave të porsalindura që ndodhnin kur ato ishin nën kujdesin e Letby-t.
Infermierja ka mohuar akuzat dhe ka sugjeruar se një “bandë” prej katër mjekësh po tentonin që t’ia hidhnin fajin asaj për shkak të dështimeve të spitalit sa i përket përkujdesjes së foshnjave.
Britania është përballur në të kaluarën me raste kur mjekët kanë vrarë pacientët e tyre. Rasti më i njohur është i mjekut Harold Shipman, i cili në vitin 2000 u dënua për vrasjen e 15 pacientëve.
Më vonë u gjet se Shipman kishte vrarë 250 pacientë duke i injektuar morfinë. Ai vrau veten në burg më 2004.
Top Channel