Një velierë që dyshohet se ishte e ngarkuar me drogë u dogj nga trafikantët në mes të detit kur ata konstatuan se ishin duke u ndjekur nga policia.
Prej dy ditësh policia e shtetit në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Interforca italiane në Shqipëri dhe Frontex zhvilluan një operacion ku goditën një grup kriminal që trafikonte lëndë narkotike kanabis dhe e shkëmbente me droga të forta në pranga ranë 6 persona mes tyre 4 shqiptarë dhe 2 ukrainas.
Lënda narkotike kanabis sativa dyshohet se kultivohej në zonën e Lezhës e më pas transportohej me mjete lundruese në detin Adriatik aty ku bëhej takimi me trafikantët e huaj dhe bëhej shkëmbimi i kanabisit me kokainë dhe Heroinë.
Operacioni filloi pas njoftimit të strukturave monitoruese në terren, për lëvizjen me shpejtësi të një mjeti lundrues, nga laguna e Patokut me drejtim jug-perëndimin. Ndjekja e kësaj gomone çoi tek një velierë ku u ngarkua droga. Sapo konstatuan policinë trafikantët i vunë zjarrin velierës dhe tentuan të arratisen me një varkë shpëtimi por aventura e tyre dështoi.
Krahas operacionit në det policia ushtroi kontrolle dhe në luginën e patokut dhe në fushkuqe pas dyshimeve se qëndronin persona që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. Gjatë këtij operacioni policia ka sekuestruar 23 kg kanabis, armë, municione para që vinin nga ky aktivitet si edhe një gomone. Me vlerë për hetimin është dhe veliera e përdorur nga trafikantët por për shkak të dëmtimeve nga zjarri ajo është zhytur në thellësinë rreth 150 metra, në detin Adriatik.
Top Channel