Këta të rinj janë nga Franca dhe sapo kanë mbërritur me traget në Durrës për të kaluar pushimet në vendin tonë.
Pas daljes nga porti, e kanë të vështirë të orientohen. Në kërkim të mjeteve të transportit publik, fillimisht ata iu drejtuan stacionit të trenit, po transporti hekurudhor nuk është funksional në këtë sezon, ndërsa tabelat orientuese për autobusët e linjave ndër qytetase mungojnë.
“Sa herë që udhëtojmë përdorim transportin publik. Pyeta këtë zotërinë dhe disa të tjerë rrotull për stacionin e autobuzave, por ende s’e kemi gjetur. Duam të shkojmë nesër në Himarë. Sot do ta kalojmë ditën në Durrës dhe shpresoj të gjejmë një zgjidhje për nesër.”
Jo vetëm linjat interurbane, por edhe linjat urbane të transportit publik që lidhin Durrësin me zonën e plazhit të madh, apo plazhe të tjera në distancë më të largët me qytetin, janë kthyer në një sfidë të vërtetë për turistët e huaj.
“Koha duket sikur ka ngrirë në fillim të viteve ’90.“- shprehet Tatiana, një turiste nga Berlini.
“Do doja ta përdorja më shpesh transportin urban, po problemi është se kemi 3-4 ditë në Shqipëri dhe konstatoj se nuk ka orare të afishuara. Mungesa e orientimit na bën konfuzë. As në internet nuk gjen gjë. Duket sikur ka ngecur në vitet ’90 kur rri e pret në stacion pa e ditur kur do të vijë. Jetojmë në Berlin dhe më pëlqen Shqipëria, por shumë problem me transportin publik. Gjithsesi njerëzit janë miqësorë. Edhe pse është plot autobusi ata ndihmojnë dhe i lëshojnë vendin njëri-tjetrit.”
Mungesa e tabelave orientuese për stacionet e autobusëve dhe oraret e lëvizjes së tyre, si dhe numri i pakët i flotës së autobusëve të plazhit janë një problem jo vetëm për turistët e huaj, por edhe vendasit. Edhe kërkimi në internet është një dështim i plotë. Madje ndonjëherë të fut në rrugë pa krye.
Ky shqetësim i turistëve për eksesin në transportin publik duhet adresuar sa më shpejt nga autoritetet përgjegjëse në funksion të një turizmi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Top Channel