Në mesin e të arrestuarve në shpërndarjen e ekstazisë në vendin tonë është edhe Besnik Mujeci aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë.
Pas një hetimi disamujor me metoda speciale, një megaoperacion droge i zhvilluar në Tiranë ka vënë në pranga të përfshirë në shpërndarjen e tabletave ekstazi MDMA Mithat Ramadanin 30 vjeç, Besnik Mujecin, 40 vjeç, të dy banues në Prishtinë, si dhe Kalem Picarin, 24 vjeç, Ambra Myftarin 28 vjeçe, dhe Daniel Avdijan 26 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Ata janë lokalizuar në kryqëzimin e rrugës “Myslym Shyri” dhe “Sami Frashëri”, së bashku me dërgesën prej 11300 tabletash ekstazi MDMA, me peshë 5.093 kg dhe vlerë tregu rreth 400 mijë euro.
Duke shfrytëzuar fluksin e sezonit turistik, ata i kalonin dërgesat nëpërmjet linjave të autobusëve Prishtinë-Tiranë. Pasi dërgesat arrinin në Tiranë, transportoheshin me makina të marra me qira në Tiranë dhe në qytete të tjera, kryesisht bregdetare, dhe vendet e shkëmbimit caktoheshin në vende publike me shumë lëvizje dhe fluks njerëzish.
Për arritjen e marrëveshjeve me shpërndarësit e drogave sintetike në Shqipëri, trafikantët kërkonin pagesa paradhënie, ose edhe lënien e automjeteve si garanci.
Top Channel