Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të përballet me një aktakuzë të re për tentativën e përmbysjes së rezultatit të zgjedhjeve presidenciale 2020.
Një juri e madhe në shtetin amerikan të Xhorxhias akuzoi ish-liderin së bashku me 18 persona të tjerë, ndërsa shtuan se Trump ka kohë deri më 25 gusht të dorëzohet vullnetarisht, për tu përballur me akuzat. Pritet që gjyqi të zhvillohet pas gjashtë muajsh, por ende nuk ka një datë të përcaktuar.
Pas këtyre akuzave Donald Trump kritikoi pretendimet të cilat i konsideron të manipuluara dhe gjueti shtrigash.
“Tingujt e manipuluar për mua! Pse nuk paditën disa vite më parë? Sepse donin ta bënin pikërisht në mes të fushatës sime politike. Gjueti shtrigash”, shkroi ai në platformën e tij “Truth Social”.
13 akuzat në aktpadinë e ngritur kundër ish drejtuesit të Shtëpisë së Bardhë përfshijnë shantazhin, shkeljen e betimit të tij, komplotin për të kryer falsifikim dhe për të paraqitur dokumente false, dhe vepra të tjera.
Mundësia që aktakuza e fundit kundër Donald Trump të shkojë në gjyq do të varet nëse pyetjet e reja ligjore mund të ngadalësojnë ndjekjen penale për shkak të natyrës së paprecedentë të çështjes.
Avokati i Trump mund t’i kërkojë gjykatës të heqë dorë nga akuza dhe ai mund të deklarohet i pafajshëm pa pasur nevojë të paraqitet në gjykatë.
Ajo që është pozitive për ish-liderin amerikan në paditë të cilat po shtohen gjithnjë e më shumë, janë përfitimet financiare. Ekipi i fushatës së republikanit njoftoi se ka mbledhur më shumë se 4 milionë dollarë në 24 orë pas aktakuzës së tij të parë në mars në New York, ndërsa për pretendimet e posedimit të dokumenteve të klasifikuara ai ka arritur të fitojë 7 milionë dollar. Kjo tregon se Donald Trump po mbledh të ardhura të konsiderueshme për fushatën elektorale.
Top Channel