Ish-kreu i kundërzbulimit për FBI-në në Nju Jork Charles McGonigal, u deklarua fajtor ditën e sotme në gjykatën federale në Manhattan, me akuzë për shkelje sanksionesh amerikane dhe pastrimin e pagesave nga një oligark i njohur rus.
McGonigal pranoi para gjykatëses Jennifer H. Rearden, se kishte shkelur ligjin pas pensionimit të tij në 2018 nga byroja, ku kishte qenë ekspert në kundërzbulimin rus, duke ndihmuar Oleg V. Deripaska, një miliarder rus nën sanksionet e SHBA-së, për të hetuar një rival.
“Unë e kuptoj se në çfarë rezultuan veprimet e mia dhe jam thellësisht i penduar. Veprimet e mia kurrë nuk kishin për qëllim të lëndonin Shtetet e Bashkuara, FBI-në apo familjen dhe miqtë e mi.” tha McGonigal.
Sipas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, dënimi maksimal që z. McGonigal mund të kryejë është pesë vjet, në vend të dënimit deri në 20 vjet që ai mund të përballej.
Në gjykatë, zoti McGonigal i tha gjyqtarit se ai e dinte se nuk mund të kryente ligjërisht shërbime për Deripaskan, i cili u vendos në listën e sanksioneve të SHBA-së në vitin 2018. Ai tha se e kishte kuptuar se puna e tij në gjysmën e dytë të 2021 ishte mbledhja e informacionit negativ “me burim të hapur” për Vladimir Potanin, një oligark i cili ishte një konkurrent biznesi i z. Deripaska.
Ai pranoi se kishte rregulluar me vetëdije që pagesat të dërgoheshin nga një bankë ruse përmes një kompanie në Qipro dhe më pas në një korporatë në Nju Xhersi, për të fshehur se burimi i parave ishte zoti Deripaska.
Ai ishte arrestuar nga agjentët e FBI-së në janar në aeroportin John F. Kennedy pas kthimit të tij nga një udhëtim pune jashtë shtetit.
Top Channel