Shkolla në Kinë fajëson viktimat e ngacmimit seksual: Mos u vishni dhe mos u sillni në mënyrë flirtuese

14/08/2023 11:06

Një shkollë e mesme në Kinën jugore ka tronditur internetin, pasi u zbulua se u mësonin adoleshenteve se fajtor ishin viktimat e ngacmimit dhe abuzimit seksual dhe jo abuzuesit.

Shkolla, në qytetin Zhaoqing në provincën Guangdong, ka zhvilluar një mësim për “edukimin e shëndetit mendor”. Por fotot e materialit mësimor filluan të qarkullojnë këtë muaj, dhe tregojnë dokumente ku thuhet se viktimat e ngacmimeve seksuale vuajnë sepse vishen dhe sillen në mënyrë flirtuese apo provokuese.

Pra sipas mësuesit, vajzat nuk duhet të veshin rroba të tejdukshme apo të ngushta dhe duhet të shmangin sjelljen joserioze.

Fotot nxitën zemërim dhe mosbesim në mediat sociale, të cilët fajësojnë qëndrimet konservatore që ata thanë se pasqyronin pabarazinë gjinore të rrënjosur thellë në një shoqëri patriarkale.

Të tjerë vunë në dukje rreziqet e fajësimit të viktimave dhe mënyrat se si gratë shpesh janë në shënjestër, pavarësisht se çfarë veshin.

Zemërimi bëri që autoritetet lokale të arsimit të lëshonin një deklaratë javën e kaluar, duke konfirmuar se fotot në internet tregonin një leksion të mbajtur në shkollë prillin e kaluar.

“Ligjërata përmbante disa shprehje të papërshtatshme, të cilat shkaktuan keqkuptim mes përdoruesve online”, thuhet në deklaratë. Sipas autoriteteve shkolla është urdhëruar të rishikojë leksionet e saj dhe të përmirësonte trajnimin e mësuesve.

Deklarata zyrtare ngjalli gjithashtu reagime. Shumë kundërshtuan formulimin e deklaratës për “keqkuptim”, duke argumentuar se materialet mësimore nuk kishin qenë një gabim i pafajshëm, por një pasqyrim i besimeve reale, të përhapura në të gjithë vendin.

Shkolla nuk ka postuar ende asnjë deklaratë publike në faqen e saj ose në mediat sociale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA