Adoleshenti amerikan Wyatt Kauffman ka mbijetuar pasi rrëshqiti dhe ra gati 30 metra poshtë Grand Canyon-it në shtetin amerikan të Arizonës.
Ekuipazheve të shpëtimit iu deshën dy orë për të tërhequr lart të riun, pasi ra nga një parvaz në pjesën veriore të zonës turistike. Ai u dërgua në spital me plagë të rënda, por tani ka dalë nga spitali.
Wyatt i tha një stacioni televiziv lokal se kishte rënë duke u larguar nga rruga në mënyrë që disa njerëz aty të mund të bënin fotografi.
Ai tha se teksa humbi ekuilibrin dhe po binte u mbajt pas një shkëmbi me njërën dorë.
“Pas rënies, nuk mbaj mend asgjë,” i tha ai stacionit televiziv Phoenix KPNX ndërsa ishte në spital.
“Më kujtohet disi që u zgjova dhe isha në pjesën e pasme të një ambulance më pas në një helikopter dhe me pas në një avion dhe arrita këtu.”
Ndër plagët e tij ishin nëntë rruaza të shtyllës kurrizore të thyera, dëmtim në shpretkë, dora e thyer dhe shembje në mushkëri.
Dhjetëra punonjës të urgjencës u përfshinë në shpëtimin e tij.
Wyatt u tërhoq nga një ekip shpëtimi i Parkut Kombëtar Grand Canyon, pasi kuptuan që shpëtimi me helikopter nuk do të ishte i mundur për shkak të terrenit.
“Ne jemi jashtëzakonisht mirënjohës për punën e të gjithëve,” tha babai i të riut, Brian Kauffman, i cili ishte në shtëpi në Dakotën e Veriut në kohën që ndodhi aksidenti.
Wyatt ishte në një udhëtim me anëtarë të tjerë të familjes së tij.
“Ne jemi thjesht me fat që po na e sjellim fëmijën tonë në shtëpi gjallë me makinë në sediljen e përparme në vend të një arkivoli.”- tha babai i tij.
Top Channel