Çdo ditë mesatarisht 300 persona i drejtohen urgjencës së spitalit rajonal të Durrësit për ndihmë mjekësore.
Problemet më të shpeshta janë gastroenteritet, virozat e stinës, si dhe incidentet në plazhe.
“Kemi rritje të gastroenteriteve kjo për shkak të higjenës dhe mosrespektimit të rregullave të mbajtjes, konservimit të produkteve ushqimore, kryesisht atyre shtazore. Kemi dhe rritje të virozave stinore, kurse rastet me Covid janë sporadike. Dramatike janë rastet e mbytjeve në plazhe dhe pneumonitë respirative që vijnë nga futja e ujit në rrugët e frymëmarrjes”, tha Gjergj Qerimi, Shef i Urgjencës spitalore Durrës.
Këtë verë, urgjencës spitalore i janë drejtuar edhe shumë turistë të huaj, numri i të cilëve është shtuar ndjeshëm nga viti në vit. Kjo situatë në disa raste e përball personelin mjekësor edhe me sfidën e komunikimit me ta.
Stina e nxehtë vazhdon ndaj shefi i urgjencës spitalore të Durrësit, mjeku Gjergj Qerimi, këshillon sërish kujdes të shtuar për të gjithë pushuesit në plazhe, veçanërisht të sëmurët kronikë, që të futen gradualisht në ujë, duke shmangur ndryshimin e menjëhershëm të temperaturës trupore dhe goditjet fatale që vijnë si pasojë e tij, siç janë infarktet e miokardit, apo aritmitë vdekjeprurëse.
Top Channel